Në një ngushticë toke që ndan Liqenin e Butrintit me Detin Jon, shtrihet një gji detar që ruan gjurmë të jashtëzakonshme të lulëzimit të jetës përgjatë antikitetit dhe mesjetës.
“Gjiri i Manastirit” e mori emrin nga Manastiri i Shën Gjergjit, që është ndërtuar aty që prej shekullit XVII dhe qëndron në krye të Gadishullit të Ksamilit. Gjetjet arkeologjike aty pranë janë shumë më të hershme, duke nisur nga shekujt IV-III Para Erës Sonë.
Deri në vitin 2022 në zonë kishte pak ndërhyrje ndërtimore, kryesisht nga strukturat turistike, por situata u përmbys pasi qeveria shqiptare rrudhi sipërfaqen e mbrotjur të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe i hapi rrugë projekteve ndërtimore.
Me një ritëm më të shpejtë se vendimet e shtetit shqiptar, projekti “Manastiri Resort” mori mbështetjen e menjëhershme si një investim strategjik, për të ndërtuar një fshat turistik në gjirin gati të paprekur të Manastirit.
Projekti i kompanisë “ALB-STAR” parashikohet të përfundojë vitin që vjen dhe kap vlerën 28 milion euro, duke e transformuar rrënjësisht zonën, përmes ndërtimit të vilave 2 deri në 4 kate, përfshirë një hotel, ambiente shërbimi dhe parkime nëntokësore.
“Arratisuni në parajsën tuaj private”, premton për blerësit kompania në median sociale “Instagram”. Projekti ndërthur stilin grek me arkitekturën italiane, duke marrë si model Positanon, një fshat buzë shkëmbinjve në bregdetin e Amalfit, në Italinë jugore.
Megjithëse evidenton potencialin e monumenteve arkeologjike dhe natyrën e zonës, projekti duket të jetë kthyer në një parajsë për mos zbatimin e ligjit për kulturën dhe rregulloren e UNESCO-s.
Përgjatë një investigimi 2 vjeçar, Amfora zbuloi se projekti që po zhvillohet në një sipërfaqe 53.467 m2, prek një nga zonat me potencial të lartë arkeologjik të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe një zinxhir institucionesh kanë dështuar të realizojnë monitorimin e punimeve.
Megjithëse në vitin 2010 në mënyrë rastësore u zbuluan struktura të reja antike, projekti i resortit vijoi duke shkatërruar një prej zbulimeve që fillimisht dyshohej si kullë fortifikimi e Antikitetit të Vonë, si edhe duke kryer punime nëntokësore pa monitorim arkeologjik.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) censuroi dokumentet që dispononte dhe për gati 1 vit ndryshoi disa herë alibi, duke ekspozuar procedura fiktive dhe të mbajtura në kundërshtim me parashikimet ligjore për vetë IKTK-në dhe këshillin shkencor që funksionon pranë tij.
“Tek ajo kodër, së pari është ndërtuar Muri i Demës, arkeologjia shqiptare në lidhje me shkrimet që janë nga arkeologë të ndryshëm, sidomos Budina dhe të tjerë pas tij në artikuj të ndryshëm, e vendosin në shekullin IV-III Para Krishtit”, tregoi për potencialin arkeologjik të zonës duke nisur nga “Kodra e Manastirit”, studiuesi Halil Shabani.