Jola Hysaj, Sekretare e Marrëdhënieve me Publikun dhe anëtare e Kryesisë së PD, në rubrikën “Opinion” në News24 tha se stina e protestave ka nisur dhe do të shkojë drejt një rruge pa kthim.
Hysaj tha se aksioni opozitar ka kohë që diskutohet, ndërsa theksoi se pas vendimit të Apelit kundër Ervin Salianji, fatkeqësisht demokracia në Shqipëri vdiq.
“Në ditët e sotme të thuash të vërtetën ka kosto dhe kosto në ditët aktuale është burgim”, tha Hysaj.
Liria e fjalës, tha Hysaj, në shtetin shqiptar nuk funksionin dhe automatikisht demokracia ka rënë.
Ajo tha se Salianji zgjodhi të thoshte të vërtetën deri në fund, pra të mos bënte kompromise.
“Sistemi i ri i ngritur është që mund të shkosh në burg me një të rënë të lapsit. Dënohet për kallëzim të rremë, ndërkohë që nuk ka asnjë kallëzim të depozituar askund, përveç një denoncimi publik”, tha Hysaj.
Në vijim ajo u shpreh se pak këtij vendimi të Apelit vendoset precedenti që Prokuroria mund të vendosë në arrest çdo gazetar që mund të bëjë denoncime.
Hysaj tha se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas lidhur me denoncimet, pavarësisht kostove që mund të kenë.
E pyetur se sa e dëmton opozitën fakti që kreu i PD-së ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa një drejtues politik qarku po shkon në burg, Hysaj tha se “populli duhet të kuptojë që kjo luftë nuk bëhet as për Berishën as për Salianjin. Kushtetuta është grisur në këtë vend, i ftoj shqiptarët të bëjnë rezistencë, të mbushin sheshet dhe të reagojnë para se të jetë shumë vonë”.