Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi komentoi në studion e News24, në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, hetimin e SPAK për 21 janarin. Topi tha se ende nuk ka një kërkesë nga Prokuroria e Posaçme që t’i kërkojë atij dëshmi lidhur me zhvillimet tragjike të asaj dite, por tha se do t’i përgjigjet në çdo moment.
Topi tha gjithashtu se prokurorët e dinë se kush janë zyrtarët dhe ish-zyrtarët që duhet të merren në pyetje për atë ngjarje. Ai theksoi gjithashtu se të vërtetat e tij i ka shprehur edhe në librin autobiografik, “Nocturn”.
Ajo ditë, e mbyllur me vrasjen e 4 protestuesve të opozitës nga të shtënat e Gardës së Republikës larg perimetrit të Kryeministrisë, për ish-kreun e shtetit është një moment traumatik në historinë e Shqipërisë.
Pjesë nga intervista
Nisida Tufa: Me gjasë do të jeni nga zyrtarët më të lartë që do të pyeteni para prokurorëve të SPAK. E prisni nga afër?
Bamir Topi: Këtë nuk e di. Por di që raporti me një institucion është një raport i detyrueshëm në komunikim. Në varësi të kërkesës, patjetër që do të shkoj. Deri tani nuk ka patur një kërkesë.
Nisida Tufa: Ju i keni dhënë përjetimet përmes librit për 21 janarin… Dua të di nga ju, do të rezultojë shpejt finalizimi i 21 janariy?
Bamir Topi: Në atë libër nuk ka një trajtim specifik për 21 janarin. Është një përjetim individual mbi një frymëzim krijimtarie për të gjitha ngjarjet që kanë shoqëruar Presidencë, ngjarje shumë të rëndësishme, ka edhe ngjarje traumatike si 21 janari. Në komunikim me miq kur jam pyetur përse keni menduar që të shkruani në mënyrë analitike, kam thënë një të vërtetë më mirë të shkruaj unë të vërtetat e mia se sa një ngjarje e lënë në harresë të interpretohet nga të vërtetat e të tjerëve që nuk kanë qenë aty ose kanë qenë pjesë e këtij konflikti. Kanë kaluar 14 vite, mendja fillon dhe sfumon ngjarjet. Por ajo që ka rëndësi është ajo që t’i shkruan në një moment, pasi ajo mbetet për ata që kanë interes.
Nisida Tufa dëshmia e kujt duhet marrë me themel nga ana e SPAK?
Bamir Topi: Nuk dua të zëvendësoj profesionistët. Unë jam nga ata që e vlerësoj shumë profesionin e cilitdo. Duhet të trajtohet si institucion shkencor. Dikush mund të thotë ç’po na thotë kush. Ti fut në laborator një provë dhe kërkon të marrësh gjëra që i konsideron në qelizë. Arti i hetimit është art i shkencës. Ai që bën shkencë thotë qëllimi i studimit, struktura, metoda dhe mënyra si do të shkosh tek e vërteta. Ata e dinë se kush duhet të thirret.