Drejtori i zjarrfikëses: Kujdes nga këto bombola gazi, nuk duhet të përdoren në shtëpi

Shqipëria

Drejtori i zjarrfikëses: Kujdes nga këto bombola gazi, nuk duhet të përdoren në shtëpi

Më: 25 janar 2025 Në ora: 22:10
Ilustrim

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me bombolat me ngjyrë portokalli që janë 5 kilogramëshe. Ai theksoi se ato janë bombola kampingu e jo për shtëpi.

Sipas Goxhajt, cilësia e tyre është e dobët nga të tjerat sepse nuk janë prodhuar që të rimbushen me dhjetëra herë.

“Bombolat me ngjyrë portokalli që janë 5 kilogramëshe nuk duhet të përdoren asnjëherë në ambientet e banimit. Këto bombola janë bombola kampingu, janë të një cilësie shumë më të dobët nga bombolat e tjera sepse nuk janë prodhuar që të mbushen dhe të rimbushen me dhjetëra herë dhe të përdoren në banesa. Këto janë bombola kampingu”, tha Goxhaj.

Sipas Goxhajt, qytetarët i mbushin bombolat me pretendimin se i përdorin për kampin, por më pas i fusin në shtëpi.

“Qytetari i mbush këto bombola me pretendimin se do i përdorë për kamping dhe i përdorin në banesa. Pra duhet kujdes edhe nga ana e qytetarëve.

Për t’i ndaluar tërësisht këto bombola në territorin e republikës janë institucione të tjera që mund të veprojnë. Do thosha për qytetarët që përdorin gazin e lëngshëm që të tregojnë kujdes të shtuar sidomos në këto temperatura të ftohta dimri.

Pajisjet e gazit duhet të jenë të vendosura në ballkone që edhe po të kemi rrjedhje të gazit të mos kemi përqendrim dhe për pasojë nuk do kemi as shpërthim sepse shpërthimi i gazit nga rrjedhja e bombolave shpeshherë nga ka shkaktuar pasoja fatale sepse nuk i jep mundësi shërbimeve që të veprojnë”, tha ai për mediat shqiptare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat