“Duam gjyq të hapur”, avokati i familjes së Martinit tregon detaje nga seanca e parë

Shqipëria

“Duam gjyq të hapur”, avokati i familjes së Martinit tregon detaje nga seanca e parë

Më: 11 mars 2025 Në ora: 20:43
Redi Ramaj

Avokati i familjes së 14-vjeçarit Martin Cani, Redi Ramaj, tregoi mbi seancën e parë gjyqësore të mbajtur të hënën, më 10 mars.

Sipas tij, ishte një seancë ku për shkak të procedurave dhe njohjes me aktet, u shty për më datën 27 mars dhe theksoi se gjykata kishte marrë një vendim që seancat të bëheshin me dyer të mbyllura.

”Siç jeni në dijeni, çështja ka kaluar për gjykim. Hetimet janë mbyllur dhe ka një akuzë për vrasje në rrethana cilesuese. Dje ishte seanca e parë paraprake te gjyqtari paraprak, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale. Kishim një situatë ku, për shkak të disa çështjeve teknike procedurale, njohja me aktet nuk ishte e mundur dhe seanca u shty për më datë 27 mars. Gjykata ka vendosur që kjo çështje të jetë me dyer të mbyllura, që do të thotë se nuk mund të jepen informacione për palët dhe nuk mund të publikohet asgjë jashtë. Ky është një vendim i gjykatës, pa dijeninë tonë paraprakisht. Megjithatë, në seancën tjetër do të kërkojmë nga gjykata shpjegimin përse është marrë ky vendim dhe do ta diskutojmë. Mendoj se ky vendim është marrë për shkak se viktima ka qenë i mitur dhe gjithashtu autori i dyshuar është 14 vjeç e gjysmë”.

Tutje ai në Euronews.al, nuk e mbështeti mbajtjen e seancave me dyer të mbyllura, duke thënë se e mira do të ishte që seancat të ishin të hapura, duke marrë parasysh se tani të përfshirët në ngjarje, pavarësisht se kanë qenë të mitur, janë bërë publikë dhe nuk ka asnjë arsye që të mbahet ende diçka sekrete.

Ai shtoi se kjo do t’i shërbente opinioni publik për tu sensibilizuar mbi çështjen që të mos përsëriten ngjarje të tilla.

”Unë mendoj se dosja dhe detajet, emrat e autorëve dhe personave të tjerë kanë dalë tashmë. Nuk besoj se ka ende sekret që duhet të mbajë gjykata. Sekreti i vetëm që mbeti ishte mospublikimi i emrave të përfshirë, por kjo ka ndodhur tashmë dhe nuk kishte arsye që të vazhdohej. Megjithatë, për interes të qytetarëve, mendoj se duhej të ishte publike, që të shpjegohej ky rast që të mos përsëriteshin ngjarje të tilla. Kështu, çdo qytetar do të kishte mundësinë të dëgjonte procesin”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat