Provat e reja të SPAK që shtynë seancën e së martës në Apelin e GJKKO ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, mund ta rëndojnë pozitën e tij.
Gazetarja e News24, Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Open”, tha se Erion Veliaj është përgjuar me autorizim të gjykatës, teksa ka folur në telefon jo vetëm me vëllain e tij por dhe persona të tjerë, duke tentuar të intimidojë njerëzit e drejtësisë.
Lala tha se përgjimet i përkasin datës 13 shkurt, ku Veliaj u transferua në Institucionin e Paraburgimit në Durrës.
“Përgjimi i kryer me autorizim të gjykatës, është shoqëruar me veprime konkrete, porosi për persona të tretë të dhëna nga Veliaj, të cilat janë zbatuar pikë për pikë. Kjo provë, sipas prokurorëve, tregon se Veliaj ka ndikim për të intimiduar dëshmitarët”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Gazetarja Lala thotë se të tjera prova që prokurorët e SPAK, kanë tashmë në dorë janë kryesisht kontrata të lidhura nga kompanitë e Ajola Xoxes në mënyrë fiktive që sipas SPAK implikon dhe Erion Veliaj.
“Janë fatura të sekuestruara nga kompanitë e Ajola Xoxes, të marra dhe nga palët e treta sic janë tatimet.
Për të pastruar paratë janë krijuar skema fiktive. Veliaj, sipas SPAK, ka firmosur leje ndërtimi e tendera për subjekte të caktuara dhe këta kanë adresuar dhurata ndaj të shoqes dhe në këtë formë ka përfituar dhe ai”, u shpreh gazetarja Lala.
Gazetarja dha detaje nga seanca e së martës në apelin e GJKKO, ku avokati mbrojtës i Erjon Veliajt, Ermir Beta, ka kërkuar fillimisht shfuqizimin tërësisht të masës së sigurisë, pasi sipas tij, nuk ekzistonte asnjë rrezik që Veliaj të largohej jashtë. Po ashtu, s’kishte rrezik për prishjen e provave. Në rast se nuk shfuqizohej masa, mbrojtja ofroi garanci pasurore 50 milionë lekë të vjetra dhe bllokimin e pasaportës, për zbutjen e masës “arrest me burg”, tha Lala.