Emisioni Fiks Fare solli mbrëmjen e sotme rastin e një qytetari nga fshati Bardhaj i Kuçovës i cili për shkak të një faqeje në “Tik Tok”, ka shkuar deri në tentativë vetëvrasje.
Një 72-vjeçare e shqetësuar për gjendjen e djalit të saj tregon se atij i është hapur një faqe në “TikTok”, ku e tallin dhe e akuzojnë se ngacmon një 15- vjeçare.
“Djali im është i urtë, sheh punën e vet, askënd nuk ngacmon, i kanë hapur faqe në ‘TikTok’ dhe unë e gjeta me litar në dorë që të shkonte dhe varte veten, por ju luta të mos e bënte” tregon e përlotur zonja Hava.
Sipas saj djali është shumë i shqetësuar dhe rri gjithë kohën vetëm. Ndërkohë djali edhe pse është 38 vjeç, denigrimi dhe akuzat që i bëhen nga kjo faqe i ka shkaktuar shumë shqetësim.
“Jam shumë i shqetësuar, është imazhi im, unë kurrë s’kam ngacmuar të mitura, më marrin njerëzit në telefon dhe më thonë çfarë është kjo” thotë ai.
38-vjeçari pranon se e ka menduar vetëvrasjen, pasi për të kjo që i ka ndodhur është shumë e rëndë.
“Unë e mendoj po sikur të isha baba dhe të ishte hapur një gjë e tillë, po nëse i hapet mbesës sime? Kjo është shumë e rëndë, ndaj dua të mbyllet” thotë ai.