Vrasja e Behar Sofisë, Jemin Shera dënohet me 35 vite burg

Shqipëria

Vrasja e Behar Sofisë, Jemin Shera dënohet me 35 vite burg

Më: 12 mars 2025 Në ora: 12:52
Behar Sofi

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur dënimin për Jemin Ali Sherën, duke e dënuar me 35 vite burg, për vrasjen e Behar Sofisë.

Ky dënim është dhënë në mungesë të të pandehurit, pasi Shera ndodhet në kërkim.

Në përfundim të gjykimit, trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Etleva Deda e ka dënuar Jemin Sherën bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, duke bashkuar dënimet e mëparshme.

Autoritetet vazhdojnë përpjekjet për kapjen e tij.

Hetimet për ngjarjen dhe si ndodhi vrasja e Behar Sofisë

SPAK tha se nga hetimet ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen ka krijuar grupin kriminal.

Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për gjashtë muaj më radhë deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 shkurt të vitit 2021, në afërsi të piramidës në Tiranë. Për të provuar akuzat ndaj Jemin Sherës, prokuroria depozitoi 168 prova shkresore si dhe kërkoi pyetjen e 16 dëshmitarë dhe 5 bashkë të pandehurve në të njëjtin proces, Bujar Leza, Xhuliano Visha, Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ernejt Shyti.

Shera dhe të pandehurit e tjerë ekzekutuan Behar Sofinë kundrejt pagesës. Si ekzekutor veproi Ernejt Shyti. Ndërsa, pavarësisht se kanë kaluar vite nga krimi që tronditi Tiranën nuk janë identifikuar urdhëruesit. Motivi i vrasjes së biznesmenit dyshohet të jenë përplasjet e grupeve kriminale në trafiqet e drogës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat