Virozat e stinës po shkaktojnë një rritje të dukshme të vizitave në urgjencën pediatrike të spitalit rajonal të Korçës, ku çdo ditë paraqiten deri në 80 fëmijë.
Shumica prej tyre pas marrjes së ndihmës mjekësore, largohen dhe vazhdojnë trajtimin në shtëpi, ndërsa një pjesë tjetër që ka nevojë për trajtim më të specializuar, shtrohen në spital.
Sipas mjekëve mosha më e prekur është 5 deri në 7 vjeç por nuk përjashtohen edhe rastet e fëmijëve nga 1 deri në 4 vjeç.
Aktualisht janë 17 fëmijë të shtruar në urgjencën e pediatrisë në spitalin rajonal të Korçës.
Në shumë raste, temperaturat e larta që nuk ulen me përdorimin e antipiretikëve shkaktojnë shqetësim dhe frikë te prindërit, të cilët drejtohen për ndihmë në urgjencë.
Mjekët këshillojnë që virozat e stinës duhet të trajtohen fillimisht në shtëpi dhe vetëm në rast se simptomat ashpërsohen, prindërit duhet të kërkojnë këshillim mjekësor.
Për të parandaluar përhapjen masive të virozave, mjekët rekomandojnë që fëmijët që shfaqin simptoma viroze të qëndrojnë në shtëpi gjatë ditëve të para dhe të mos paraqiten në kopshte ose shkolla.