Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako inspektuan punimet në kantierin e Kampusit të ri të Fakultetit të Studimeve Profesionale që po ndërtohet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në qytetin bregdetar.
Ministrja Manastirliu tha se investimi parashikon 30 auditorë, 15 laboratorë shkencorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente të tjera rekreative në shërbim të 1700 studentëve.
“Fakultet që ka marrë vlerën e vet edhe për arsye se numri i studentëve është në rritje çdo vit. Investimi do të ndryshojë rrënjësisht cilësinë e mësimdhënies se fakulteti do të ketë 30 auditore, 15 laboratorë të shkencave teknike, të mekanikës, navigacionit, të shkencave mjekësore teknike dhe ambiente rekreative për studentët. Do të ketë fusha sportive por edhe pishinë për ta bërë këtë kampus optimal me standardet më të mira evropiane. Janë parashikuar tarracat e gjelbërta, investimi për terrenet sportive dhe është e rëndësishme që janë planifikuar bibliotekën dhe laboratorët, që zgjeron kapacitetet e studimeve në degët profesionale. Degët profesionale janë degë të kërkuara që lidhen me të gjithë profesionet.”, u shpreh ministrja.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama kërkoi një projekt për rezidencat studentore me qira modeste.
“E kemi diskutuar të ndërtojmë një program të veçantë për rezidencat e studentëve se është më mirë t’i bëjë qeveria me bashkinë dhe me një qira që është më modeste se ata që detyrojnë të marrin në treg. Duhet ta bëjmë këtë, të marrim një arkitekt që të bëjë një master plan të plotë.”, tha kryeministri Rama.