Qeveria ka shtyrë deri më datë 31 maj 2025 afatin për subjektet private që duan të aplikojnë për të lidhur kontratën e qirasë për të ushtruar veprimtarinë e tyre në stacionet e plazhit.
Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në vendimin “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e qeverisë, subjektet private që duan të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në stacionet e plazhit, kanë afat deri më 31 maj 2025 për të aplikuar për të lidhur kontratën e qirasë për përdorimin e hapësirës së plazhit.
Të drejtën për të përdorur hapësirën e plazhit e kanë subjektet private që janë të kategorizuara si: “Bujtinë, Fjetinë (Hostel), Hotel, Resort, Qendër kurative, Fjetje dhe mëngjes, Apartament/vilë”, që kanë jo më pak se 5 dhoma dhe “Bllok apartamentesh”, që janë dy ose më shumë apartamente në të njëjtën vendndodhje dhe menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik, që kanë jo më pak se 5 dhoma.
Në vendimin e qeverisë thuhet se faza e dytë e aplikimit të subjektit, për stacion plazhi do të jetë brenda datës 30 prill, nga 30 marsi që ka qenë caktuar në rregullore, pra është shtyrë me një muaj.
Faza e parë është ajo e aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit, ndërsa në të dytën saktësohet aplikimi, gjenerohet mandati i pagesës dhe caktohet plan-vendosja përkatëse të stacionit të plazhit.
Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin e tyre në portalin e-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.
Për zbatimin e këtij vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.