Kreu i PD-së, Sali Berisha mbajti sot fjalën hyrëse në nisje të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, për të miratuar në parim listën e deputetëve kandidatë.
Berisha: Në këtë garë, siç jeni dëshmitarë, më e hapura në historinë e këtij vendi, qindra djem, vajza, burra, gra, paraqitën lirshëm, pa asnjë lloj presioni apo ndikimi vullnetin e tyre për të kandiduar për forcën tonë politike.
Këto kandidatura të shkëlqyera do të thosha, ishin të denja për tre parlamente.
Vështirësitë e mëdha ishin për zgjedhjen e të mirëve dhe më të mirëve mes tyre.
Por kjo ishte edhe një dëshmi e madhe e besimit ndaj PD dhe një vendosmëri e madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga narkodiktatura.
Pra, në qoftë se kthehemi në krahun tjetër, çfarë do gjeni? Delinkuentë, kriminelë, ministra të veshur me Dolce- Gabbana apo firma shumë më të shtrenjta, por që paratë i kanë nga kriminelët.
Si i tha ai Altin Hajri? Merrja masën atij t’i bëjmë dy kostume.
Ky është vetëm një aspekt i tyre. Kështu që kudo që shkojnë Uluzitë, Lubitë, shkojnë me një barrë të rëndë dosjesh krimi në shpinën e tyre.
Kurse përfaqësuesit tuaj janë përfaqësues që vijnë si njerëz të lirë para jush. Shkojnë si njerëz të lirë para qytetarëve dhe ky është një ndryshim madhor, ndryshim si nata me ditën.
Larg të qenurit të përsosur, por dallimi është i jashtëzakonshëm mes përfaqësuesve të tyre.
Shqiptarët e kanë të qartë këtë si rrezja e diellit. Ju e keni parë, ata nisën të parë turin e diasporës. U fik turi i tyre. U shkim, thonë në një shqipe më të hershme. U shua.
Mos na hajdeni se nuk duam t’u shohim, kjo ishte e vërteta. Pastaj u kthyen dhe bënë gjithçka që të votojë sa më pak diaspora.
Jo, jo, ky është viti i diasporës. Viti 2025 do shkruhet me germa të arta në historinë kombëtare si viti i diasporës shqiptare.
Si viti kur diaspora me votën e vet përmbysi diktaturën e drogës, krimit të Edi Ramës.
Ndaj dhe diaspora në mbështetje të PD-së në vitin e saj, diaspora e vendosur të përsërisë revolucionin demokratik të viteve ’90 është bërë tmerri dhe ferri i tyre.
Në mënyrën më të papërmbajtur, dy javët e fundit, kur e kuptuan që ua preu biletën diaspora, bënë gjithçka për të mos lejuar votimin e saj.
Por votat janë 250 mijë u regjistruan, 250 mijë të tjerë janë të betuar të vijnë nga ajri, toka, deti për të votuar me 11 maj. Edi Rama është absolutisht i pashpresë.
Kanë 2 muaj që këndojnë himnin e hajdutit, që lajmet nuk kanë asgjë tjetër vetëm Lali Vjedhësin, se si Lali Vjedhësi nuk ka vjedhur, se si po merreni me fustanet, packa se ishte gardëroba si e Lajla Asadit, identike.
Kur Lajla Asadi shkoi në Moskë, dy lajme dolën, që Asadi solli kaq flori dhe që Lajla kishte 1 milion dollarë garderobën.
Pra, zotëria tani është zhytur në park zoologjik dhe me këto mendon se do i hutojë shqiptarët.
Nuk u thotë një fjalë për ujin e pishëm, nuk u thotë nj fjalë për kafshatën që ua preu, nuk u thotë një fjalë për çmimet stratosferike, nuk u thotë një fjalë për pabarazinë e tmerrshme që ka krijuar në rroga të ulëta dhe të larta, u thotë që po u rritën pensionet, përmbyset Shqipëria dhe mendon se këto do ua kompensojë duke prodhuar çdo mëngjes zhaba, zhapikë, hardhuca dhe kafshë të tjera të natyrës.
Pra, ndërkohë epërsia jonë është morale dhe programore.
Ne kemi një program të shkëlqyer, një program që nuk e ka pasur kurrë Shqipëria më parë.
Një program të hartuar me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të fondacioneve Heritage dhe Adenauer.
Një program, i cili këtë Shqipëri të sotmen, që braktiste masivisht nga shqiptarët, e shndërron në një Shqipëri Madhështore, krenare për shqiptarët.
Një program i cili në çdo kolonë të tij, në çdo projekt të tij është konkret dhe 100 përqind i realizueshëm.
Një program me paketën e dhembshurisë. Sigurisht ajo do jetë paketa e parë. Ata që numërojnë kafshatat, ata qënuk mjekohen, nuk do numërojnë kurrë kafshatat se do marrin shumën që i nxjerr jashtë varfërisë ekstreme. Do marrin ilaçet siç i meritojnë. Do marrin kartën e konsumatorit, do i marrin më lirë ushqimet, pa tajksa. Nuk mund të vuajnë ata për kafshatën.
Vetëm një Shqipëri e tillë do ringjallet, do rizgjohet dhe do bëhet Shqipëri prodhuese.
Made in Albania do jetë krenaria shqiptare.
Do bëjmë gjithçka që çdo burim, tokësor, mbitokësor, nëntokësor, turistik, etj, të shndërrohet në mirëqenie dhe pasuri për qytetarët shqiptarë.
Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë.
Mos harroni një gjë, se do u thonë kundërshtarët se ku ishit ju kur ishit në pushtet. Po, ishim në pushtet, dhe eksportet që janë prodhim, u rritën 320 përqind.
U rritën sepse ne krijuam dhe do krijojmë prapë klimën më miqësore për biznesin. Sistemin e taksave më të ulëta. Konkurrencës më të ndershme.
Epërsia jonë është programi ynë, i cili bazohet në parimet më të avancuara të tregut të sotëm.
Një program që mban vulën e Heritage Foundation, e thinktankut konservator më të fuqishëm në botë.
Mban vulën e Adenauer Stiftung.
Një program që do transformojë Shqipërinë me shpejtësi.