Në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, Kosova ka pasur skiatorë të spikatur, kampionë republikan.
Emra që nuk harrohen, emra që lanë gjurmë, emra që sfiduan skiatorët nga ish republikat e ish Jugosllavisë.
Një fotografi sa një mijë fjalë. Kjo fotografi është e para 45 viteve, me kampionët e skijimit, si Xhevdet Mazrekaj, Ramë Demaj, Riza Demaj etj.
Një fakt interesant dhe një sukses i papërsëritshëm deri me tash në Kosovë, është Xhevdet Mazrekaj, i cili ka qenë kampionë i trefishtë republikan në tri disiplina alpike, sllallom, sllallom i madh dhe lëshim, për tri vite rresht (1975/76 e 77).
Mazrekaj ka publikuar një fotografi të vitit 1977, me të cilët skiatorë të viteve të arta, i sollën shumë trofe Kosovës. Një plejadë e jashtëzakonshme.
“Miq, po e ndaj me ju një kujtim nga koha e rinisë. Fotografia është shkrepur në Brezovicë, në vitin 1977 me disa nga kampionët e skijimit nga Klubi i Universitetit të Prishtinës. Nga e majta, Ramë Demaj, i dyti unë Xhevdet Mazrekaj, i treti, trajneri klubit, Hajrush Demaj, pastaj vajza e sekretarit të klubit, si dhe Riza Demaj.
Kënaqësi e veçantë që bashkë me vëllezërit Demaj t'i sillnim Kosovës trofe dhe ta fitonim secilën garë ku merrnim pjesë! Ne ishim elita e kampionëve skijatorë të asaj kohe, si në Kosovë ashtu edhe në rajon.
Kohë që ia vlen të kujtohet dhe njëkohësisht mesazh për gjeneratat e reja, që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre, sepse puna dhe përkushtimi në pasionin e tyre kurdoherë sjellë rezultate, që lënë gjurmë për gjithë jetën”, ka shkruar Mazrekaj në profilin e tij në facebook.