Me rastin e ndarjes nga jeta e kolegut, mikut dhe shokut tonë, Fetah Musa.
Të nderuar familjar të Fetos, Valide, Hana e Ylli, të nderuar koleg shokë dhe veteran të sportit të skitarisë e të arsimit, të nderuar bashkëqytetar, të nderuar të pranishëm, jemi sot bashkë këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit, dhe ndarjen fizike nga kjo botë të babait, gjyshit, mikut, shokut, veteranit të arsimit, e të sportit Fetah Musa.
Me këtë rast dhe në shenjë kujtimi për të, më lejoni që telegrafikisht dhe shkurtimisht të them se FETA si i thoshim ne shokët e kolegët e profesionit, e sportit, ishte së pari një njeri i urtë, bashkëshort, prind i dashur dhe kujdesshëm, koleg dhe shok i respektueshëm në mesin ku veproi, punoi e jetoi.
I lindur dhe rritur si shumica apsolute, në kohët e vështira të varfërisë dhe skamjes së madhe, që kishte kapluar Kosovën e asaj kohe, pas përfundimit të shkollimit fillor dhe atij të mesëm, regjistroi shkollën e lartë pedagogjike - pasi ishim të një gjenerate dhe fëmijë të rritur në një lagje me shtëpi pothuaj të ngjitura, vendosëm të vazhdojmë shkollimin aso kohe në SHNP në Prishtinë ai në grupin e artit figurative e unë në atë të edukimit fizik. por së banesën e kishim të përbashkët.
Përfundimi i studimeve ishte vetëm fillimi i obligimeve e angazhimeve të reja që lidhen me punësimin që sistemi i asaj kohe nga vitet e gjashtëdhjetë e caktoi si mësimdhënës të ri në fillim në shkollën e fshatit Treboviq si plotësim i nevojave të madhe për kuadro arsimore të atij profili.
Disa vite më vonë Feta kaloi edhe me detyre në shkolla të mesme, ishte një kohë zyrtari i Lidhjes Komunale për Kulturë Fizike kurse pas lufte në Pejën e djegur e të shkatërruar menaxhoi dhe kontriboi më shumë sukses dhe dashuri palestrën e sporteve “Karagaçi” si menaxher - drejtor, duke kontribu që ajo pas demolimit dhe shkatërrimit të madh që kishte pësu, të merr veten për qëllime dhe aktivitete sportive e kulturore.
Në këtë detyrë Feta e priti edhe pensionimin ligjor, por asnjëherë nuk u ndal me aktivitete që lidheshin me artin dhe shpirtin artistik për të bukurën. Këshillat e tij për lule ambiente te hapura, kopshte dhe veranda, ishin pjese e jetës se tij, e në anën tjetër ishte kundërshtar i degradimit te qytetit, ndërtimit pa sens dhe kriter.
Nga rinia e hershme i dashuruar në natyrën, ishte i lidhur me malet tona me bjeshkën, si bjeshkatar e skitar në moshë shumë të re si 16 vjeç gati se nuk e pagoi shtrenjtë aventurën e tij të ecjes 18 orëshe me dy bjeshkatarë tjerë (me pajisje modeste të asaj kohe) nga bjeshkët e Tiganit deri në Bjelluha, siç tregonte me lartësi bore mbi një metër, e që disa vite i lan edhe pasoja në shëndet.
Ishte ndër ata entuziast që nga vitet e shtatëdhjeta bashkë me Feti Broqin e të tjerët ndezën idenë e Teliferikut në bjeshkët e Pejës – Kopranikut, tash i njohur se “Borea”, kurrë shumë grupe ekspertësh nga Sllovenia e vendet tjera i shoqëroi për ti njohur me mundësitë e një projekti madhor, por që nuk e përjetoi as pas gjysmë shekulli këtë ide, për çka shpeshherë thoshte “kishte qene vet mrekullia e njeriut mbi natyrën që Pejës ia ka falë Zoti”.
Mbesin të paharruar vitet kur veprimi i sportit shqiptarë 1991/98, ishte i ndaluar nga regjimi serb dhe skitaria ishte një storie që do mbahet gjatë në mendjen e punëtorëve të skitarisë, popullatës dhe vet aktorëve të atyre viteve që bashkë me Feten ishin thelbi dhe katalizator organizimit.
Në ato kohë, vite e rrethana, Feta ishte kudo i angazhuar në organizime të këtij aktiviteti si zyrtar i klubit skitar “Rusolia” si zyrtar në FSK, si gjyqtarë si shënues i shtegut për garat e disiplinave alpike, për çka shume ndihmë kishte edhe nga ata që skitarin e kishin në zemër si ish skitar, garues e trajner dhe më vonë si veteran e aktivist e punëtorë të palodhur si Hajrullahu, Muhameti e Rexha (tani të ndjerë) bashkë me Muratin, Isan, Azemin, Ylberin, Ahmetin Muhamet Dreshën e të tjerët, me të cilët nuk u nda nga shoqënimi me ta deri pak ditë para se të ndërroi jetë.
Me ndarjen fizike nga jeta, ai do kujtohet si person i dashtun, i respektueshëm dhe i pranueshëm në çdo shoqëri me butësinë dhe urtësinë por edhe humorin e vet të lehtë që përvetësonte çdo njeri.
Me këtë rast në emrin tim, dhe të gjithë atyre që e njohën Feton, jetuan, punuan dhe vepruan me të, kolegët të arsimit, bashkëpunëtorët nga kultura fizike dhe sporti i skitarise shprehim ngushëllimet me te sinqerta familjes dhe gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
Qoftë i parajsës Zoti e mëshiroftë.
Sqarim:
Me vjen keq që për shkak të agjendës së ngjeshur të fjalimeve, motit të ligë dhe rrebeshit të shiut dhe erës, fjala ime nuk ishte e mundur të lexohet gjatë kësaj ceremonie. Mendoj se me këtë postim sado pak po e kompenzoj obligimin tim moral, kolegial dhe shoqëror, unë dhe komuniteti i punëtorëve veteran të arsimit dhe sportit të skitarisë.