Nëse Shqipëria është ende në kërkim të medaljes së parë historike, një shtet më i vogël se ajo ka arritur ta realizojë këtë gjë.
Bëhet fjalë për San Marino, që në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” arriti të rrëmbejë medaljen e parë olimpike të historisë së saj.
Qitësja Alessandra Perilli mori medaljen e bronzit në garën e qitjes me pjatel, disiplina “trap”.
San Marino merr pjesë në Lojërat Olimpike që prej vitit 1960, por vetëm sot feston një medalje olimpike. Në Olimpiadën e Rios, qitësja Perilli u klasifikua e katërta, ndërsa këtë herë u ngjit në podium.
“Ende nuk e besoj këtë sukses. Nisa garën duke thënë se nuk mund të renditesha sërish e katërta. E dija këtë medalje dhe ia dola mbanë”, tha qitësja 33-vjeçare Alessandra Perilli, që garon për San Marino.