Amra Gashi shkëlqen në TOP 8 për moshat U13

Sporti

Amra Gashi shkëlqen në TOP 8 për moshat U13

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 16:52
Amra Gashi

Të shtunën, në palestrën e SHFMU "Tefik Çanga" në Ferizaj, u mbajt turneu TOP 8 për grupmoshat nën 13 vjeç (U13), i cili përfshiu garën për djem dhe vajza. Ky turne mblodhi talentet e rinj nga disa qytete të Kosovës, duke sjellë emocion dhe garë të fortë për të rinjtë që kanë treguar përkushtim dhe aftësi në sportin e tyre të preferuar.
Në kategorinë e vajzave, Amra Gashi nga Prishtina u shpall fituese, pasi arriti të grumbullojë të njëjtin numër pikësh me Jonida Ibrahimin.

Megjithatë, Amra doli e para falë fitores së saj në përballjen e drejtpërdrejtë ndaj Jonidës. Ky rezultat dëshmoi jo vetëm përgatitjen dhe përkushtimin e saj, por edhe rëndësinë e përballjeve direkte në renditjen finale të garuesve.

Për vendet 3, 4 dhe 5 pati një rivalitet të fortë midis Sara Hoxhës, Vlera Beqës dhe Lira Hashanit.

Të reja vajzat arritën të grumbullojnë nga 11 pikë secila, duke e bërë renditjen edhe më të ngushtë. Sipas rregullave të turneut, renditja e tyre u përcaktua duke marrë parasysh numrin e setave të fituara, gjë që i dha Vlera Beqës vendin e tretë, Lira Hashanit vendin e katërt dhe Sara Hoxhës vendin e pestë.

Në vendin e gjashtë u pozicionua Leana Hallaqi, e cila përfundoi garën me 2 fitore dhe 5 humbje. Ajo arriti të vendosej mbi Jara Hallaqin, e cila u rendit në vendin e shtatë, duke përfunduar turneun me 1 fitore dhe 6 humbje. Alara Sisko përfundoi garën në vendin e fundit, me po ashtu 1 fitore dhe 6 humbje.

Ndërsa në kategorinë e djemve fitues doli Resul Smajli nga KPP Sharri.

Përveç garës sportive, turneu u pasurua edhe me ndarjen e çmimeve. Fituesja e vendit të parë, Amra Gashi, u shpërblye me medalje, mirënjohje dhe një kupë, duke shënuar kështu një sukses të madh për karrierën e saj të re.

Ndërkohë, Jonida Ibrahimi në vendin e dytë dhe Vlera Beqa në vendin e tretë u vlerësuan gjithashtu me medalje dhe mirënjohje, si një motivim shtesë për përkushtimin e tyre dhe rezultatet e arritura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat