Sporti po bëhet gjithmonë “grua”.
Këtë e kanë kuptuar mjeshtrat e marketingut të kompanive më të mëdha botërore, që gjithmonë e më shumë po kthejnë sytë nga yjet e sportit femëror dhe konfirmimi për këtë vjen nga studimi i “SportPro”, që ka publikuar edhe renditjen me atletët më të marketuar të vitit 2024.
Në vija të trasha, studimi lidhet me kontratat e sponsorizimit por edhe impaktin që kanë në rrjetet sociale, Por ka edhe parametra të tjerë financiarë dhe ekonomikë.
Sipas tyre, në dhjetëshen e parë të klasifikimit, për herë të parë në 15 vitet e këtij studimi, ndarja është e barabartë mes sportistëve burra dhe gra.
Madje këto të fundit marrin edhe vendin e parë në klasifikim.
Vendin e nderit e ka Simone Biles, gjimnastia amerikane që sidomos pas triumfit në Lojrat Olimpike “Paris 2024” ka një rritje marramendëse në kontratat e sponsorizimit, duke u kthyer në një ikonë publicitare e kompanine sportive dhe jo vetëm.
Sipas studimit, ajo le pas sulmuesin e Real Madrid, Vinicius Junior dhe legjendën e basketbollit amerikan LeBron James.
Ajo që bie në sy është rënia e dy prej më të mëdhenjve të futbollit në dekadat e fundit.
Lionel Messi pozicionohet në vendin e pestë, ndërsa rivali i tij i përjetshëm, Cristiano Ronaldo në vendin e nëntë, përcjell abcnews.
Duket se në perëndim të karrierës së tyre, dy yjet e futbollit po humbasin edhe “sharmin” e marketingut.
Dhjetëshja e parë e kësaj renditjeje plotësohet me basketbollisten Caitlin Clark, gjimnasten tjetër medaliste olimpike, brazilianen Rebeca Andrade, futbollistin Kylian Mbappe, ragbisten Ilona Mahrer dhe notaren Katie Ledecky.