Në ndeshjen e dytë të grupit, dyshja e Kosovës Qalaj/Gërguri ka shënuar një fitore të rëndësishme 2-1 kundër ekipit të parë të Maqedonisë së Veriut.
Në setin e parë, Maqedonia e Veriut e nisi fuqishëm dhe e kontrolloi lojën, duke e mposhtur Kosovën me rezultat 21-13. Pavarësisht përpjekjeve, ekipi ynë nuk arriti ta kapërcejë epërsinë e kundërshtarëve.
Seti i dytë tregoi një kthesë të madhe për Qalaj dhe Gërguri.
Duke u përmirësuar në sulm dhe duke treguar një mbrojtje të fortë, ata arritën ta barazojnë ndeshjen me një fitore 21-17, duke e rikthyer besimin për fitoren.
Seti i tretë dhe vendimtar ishte një betejë e vërtetë, por Kosova mbizotëroi në momente kyçe, duke e fituar me rezultat 15-8. Lojtarët tanë treguan qetësi dhe përqendrim maksimal, duke siguruar kështu fitoren e dytë në grup dhe duke i bërë një hap të madh drejt kualifikimit.
Pas kësaj fitoreje, djemve tanë u mbetet vetëm edhe ndeshja ndaj Greqisë, e fundit në grup, për të vazhduar garën në raundin eliminues.