Tirana dhe Partizani ritakohen në finale

Volejboll

Tirana dhe Partizani ritakohen në finale

Më: 7 shtator 2024 Në ora: 12:42
Pamje nga ndeshja

Volejbolli ka nisur dje zyrtarisht sezonin 2024-2025 me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së FSHV-së në radhët e meshkujve.

Takimet e zhvilluara në sallën sportive të Farkës nuk dhuruan surpriza, teksa Tirana dhe Partizani fituan përkatësisht kundër Vllaznisë dhe Studentit, duke siguruar kualifikimin për në finale.

Takimi hapës i kompeticionit ishte ai ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë. Pa lojtarët e huaj si dhe me largimin e vëllezërve Martiro drejt Partizanit, bardheblutë e Arben Sakos e nisin sezonin të ridimensionuar. Megjithatë, kryeqytetasit nuk e gabuan daljen e tyre të parë, teksa fituan me rezultatin 3-1 kundër Vllaznisë.

Seti i parë nisi me një epërsi të lehtë të shkodranëve, por Tirana rikuperoi dhe fitoi në shifrat 25- 22. Tirana e filloi mirë setin e dytë duke kaluar në 6-1, por Vllaznia përmbysi, ndërsa loja vijoi interesante. Megjithatë në fund kryeqytetasit u treguan më të qartë në veprimet e tyre për të fituar 25-20, duke thelluar në 2-0.

Vllaznia reagoi, duke dominuar në setin e tretë, teksa fitoi 18-25, për të ngushtuar në 2-1. Seti i katërt u duk fillimisht sikur do të kontrollohej lehtë nga Tirana, e cila ishte vazhdimisht në avantazh, por në pikët e fundit kuqeblutë e Artan Kalasë arritën të përmbysnin nga 19-12 në 21- 23. Megjithatë Tirana e rimori lojën në kontroll për ta fituar setin 25-23 dhe të gjithë ndeshjen 3-1, duke siguruar kualifikimin për në finale pas një takimi që zgjati 1 orë e 52 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat