Indrid Çullhaj është i bronztë në përfundim të turneut ndërkombëtar në xhudo “British Open”.
Në peshën deri në 73 kilogram, teksa kanë marrë pjesë 47 konkurrentë, Çullhaj ka mundur të renditet i treti me pesë fitore dhe një humbje. Ai fitoi ndaj konkurrentëve nga Angli, Gjermania, Austria, Belgjika dhe Egjipti.
Por humbi ndaj një tjetër konkurrent nga Anglia.
E megjithatë i gëzohet së bashku me trajnerin e tij, Shkurt Çullhaj, medaljes së bronztë në një aktivitet ku morën pjesë 450 sportistë nga e gjithë bota. Çullhaj e ka marrë medaljen nga japonezi Ebinuma Masashi, i cili është medalist olimpik.
Për suksesin e arritur, Çullhaj ka falënderuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë. Alaster King-Smith, si dhe klubin shumësportësh Tirana e Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Por mbi të gjitha Federatën Shqiptare të Xhudos, si dhe Ministrinë e Mbrojtjes pjesë e së cilës është dhe vetë Indrid Çullhaj. Kështu viti 2024 ka nisur mbarë për Çullhajn, që pritet të jetë dhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ashtu sikurse ishte në Tokio.