Gjyqi ndaj “Burdushit”, ja për çka akuzohet ai

Aktuale

Gjyqi ndaj “Burdushit”, ja për çka akuzohet ai

Më: 4 maj 2022 Në ora: 16:23
Hysri Peqani

Me administrimin e provave materiale, ka vazhduar të mërkurën gjykimi në rastin ku Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë seancë, prokurorja Merita Bina-Rugova i ka lexuar dhe elaboruar provat materiale,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hysri Peqani, avokati Durim Osmani pas leximit të provave materiale nga prokurorja Bina-Rugova, deklaroi se në këtë seancë nuk është i gatshëm që të japë vërejtjet lidhur me provat e administruara nga Prokuroria Speciale.

Mirëpo, i njëjti tha që dy prova të cilat i ka administruar prokuroria në këtë seancë, mbrojtja nuk i posedon dhe atë 4 libra me shënime, gjerësisht të cilat nuk janë në CD-në e dorëzuar të mbrojtjes, ku është e përfshirë e gjithë dosja e lëndës, si dhe shtoi se mbrojtja nuk posedon CD-të me incizime të pa autorizuar.

Avokati Osmani ka kërkuar nga gjykata një afat shtesë që t’i përgatisë në formë të shkruar kundërshtimet.

Po ashtu, kërkoi një afat shtesë lidhur me propozim të provave shtesë që të njëjtat do t’ia paraqesin gjykatës në formë të shkruar para datës së seancës se ardhshme.

Prokurorja Bina-Rugova  lidhur me CD-të me incizime të paautorizuara, tha se beson se i kanë marrë së paku një pjesë të incizimeve që kishin mundur t’i lëshojnë për të gjithë, por se mbrojtja nuk i ka marrë me qëllim sepse përmbajtja është shumë e ndjeshme.

Ndërsa, theksoi se ato CD nuk janë objekt i akuzës, por vetëm e ilustron mentalitetin e tij dhe mënyrën e punës.

Sa i përket librave, e njëjta tha se janë 4 libra shumë të mëdha dhe tha se mbrojtja me siguri i ka marrë origjinalet.

Ajo shtoi se ka qenë e pamundur që të bëjnë fotokopje për shkak formatit të marrë, mirëpo nëse dëshirojnë herën tjetër mund t’i sjell në sallë.

Më pas, propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Peqani, avokatit Osmani që seanca e sotme të ndërpritet, u aprovua nga ana e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat