Mes tensioneve dhe përplasjeve ndërmjet pozitës dhe opozitës është mbajtur sot mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.
Krejt kjo ‘zhurmë’ ndodhi pas propozimit të deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, për largimin e dy anëtarëve nga ky komision për siç u shpreh ai, mungesat e tyre të shumta.
Për shkak të mungesave në mbledhje të Komisionit, më shumë se tri, deputeti Muja ka kërkuar përjashtimin nga Komisioni të deputetes nga Grupi multietnik, Duda Balje dhe deputetit nga Lista serbe, Ljubinko Karagjiq.
Ndërsa, ndaj kësaj kërkese ka reaguar deputetja Duda Balje e cila tha se i di arsyet e kërkesës së VV-së për shkarkim.
Ajo tha se kërkesa e Mujës është ‘puro politike’: “Sepse unë nuk votoj qysh ju po doni unë të votoj”.
Balje: Unë nuk votoj qysh ju po doni
“Unë me kohë kam lajmëruar, kam shkuar në vizita zyrtare në bazë të vendimit të Kryesisë. Nuk e di pse keni bërë temë për këtë. Unë i di arsyet, edhe arsyeja është puro politike, sepse unë nuk votoj qysh ju po doni. Edhe ju po dëshironi të më ndërroni me dikë tjetër nga Grupi multietnik, në të cilin keni ju mundësi për të manipuluar. Kjo është arsyeja e vetme. Të gjitha mungesat unë i arsyetoj. Kryetar, i kam pasur të shkruara arsyetimet me ju. I kam të gjitha me shkrim. Nëse Armendi është në deficit të informacioneve, është problem i Armendit, nuk është i imi”, theksoi ajo.
Nënkryetari i Komisionit, Armend Muja mohoi të ketë karakter politik kjo kërkesë. Por sipas tij, kjo është parimore dhe e ligjshme.
Muja: VV nuk është e interesuar të kontrollojë askënd
“Kërkesa është parimore, kështu e ka paraparë ligji. Nuk po paraqes një kërkesë të paligjshme. Kërkesën e ka paraparë ligji, pikërisht për faktin se ka nevojë për seriozitet, sepse hetimi ka kohën e limituar. Problemi është se ne i kemi dy deputetë që na kanë munguar 5-6 herë. Nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë. Sa i përket kontrollit, VV nuk është e interesuar ta kontrollojë askënd. Në fakt, nuk i përmbushin as kriteret për t’i kontrolluar se nuk vijnë kurrë në mbledhje. Është përgjegjësi e secilit deputet për votën e tij, por duhet t’i përfaqësojë votuesit me pjesëmarrje aktive”, tha Muja.
Në fillim të mbledhjes së sotme, kryetari i komisionit, Hajdar Beqa ka thënë se për mungesën e dy deputetëve ka arsyetime nga Duda Balje dhe Ljubinko Karagjiq.
Beqa: Ka arsyetime nga Duda Balje dhe Ljubinko Karagjiq
“Për arsyetimin publik, deputetja Balje, e kam arsyetimin, tri herë më shkrim, dy herë me telefon më ka informuar që ka takime zyrtare. Janë datat, janë orët, janë të gjitha dhe i kam telefonatat. Ljubinko Karagjiq më ka informuar për shumicën e takimeve, ka pasur valluan të sëmurë me kancer, kështu është arsyetuar”, tha Beqa.
Pas kësaj kërkese për përjashtim nga Komisioni, pati reagime dhe përplasje mes deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës dhe deputetit të LVV-së Arbër Rexhajt.
Përplasja mes deputetit Rexhaj dhe Beqa
Rexhaj: A është vërtetimi i mjekut, a është udhëtimi zyrtarë, apo çarë do që është.
Beqa: S’jemi bre Arbër në klasë të parë, mos bën shaka.
Rexhaj: 8, 10, 17, 28, janë këto datat e mungesës.
Beqa: E qesim në votim dhe vazhdojmë.
Rexhaj: Jo, nuk e qet në votim të këtë. Sepse kjo është e pacaktuar.
Beqa: Ti po më tregon çka bëj unë, a? Kur të flisni diçka, lexoni. Te je njëri prej pështjellakëve më të mëdhenj në këtë Komision. Lëri këto përralla.
Në këtë mbledhje po ashtu pati akuza dhe kundër akuza për korrupsion dhe punësime në KEK mes deputetit të VV-së, Halil Thaci dhe atij nga LDK-ja, Armend Zemaj, pasi që u tha se opozita po ia bën argatin deputetes Duda Balje.
Për shkak të këtyre përplasjeve mbledhjen e Komisionit e kanë braktisur dy deputetët e LDK-së, dhe deputetja Balje.
Përplasje mes deputetëve Thaçi dhe Zemaj
Thaçi: Po më vjen mirë që paska kaq shumë avokatë deputetja Duda Balje sot. Por, ti zgjohu ecë menjëherë (deputetit Zemaj). Ti je duke i mbrojtur ata që kanë keqpërdorur qe 20 vjet.
Zemaj: Ti je i vendit të hajnisë, bash i Obiliqit.
Thaçi: Unë nuk kam qenë në qeveri, qysh ke vjedh ti.
Zemaj: Unë lidhje nuk kam, a me të ftuar me të intervistuar ty për punësimet në KEK dhe skandalet.
Thaçi: Ec, keni keqpërdorë për 20 vjet, e tash po mundoheni me i mbrojtur.
Komisioni ka vazhduar mbledhjen dhe shqyrtuar propozimin e VV-së për përjashtimin e dy deputetëve minoritarë në fjalë, dhe vendosi ta shtyjë këtë çështje për votim deri në një mbledhje tjetër të radhës.
Ndërsa, ky Komision në mbledhjen e sotme ka vendosur që nga dita e mërkurë e javës së ardhshme të fillojë intervistimi i dëshmitarëve.
Fillimisht, të mërkurën pritet të intervistohen ish-kryeshefi ekzekutiv dhe ish-Bordi i KEK-ut gjatë periudhës 2006-2008.