Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda, tha se shkarkimi i kryeinspektorit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, është bërë për ta mbuluar përgjegjëdinë e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
Gruda vlerësoi se shkarkimi i Topallit është komplet vendim politik.
“Shkarkimi i kryeinspektorit është vetëm një veprim i radhës në tentim për të ikur nga përgjegjësia që ka ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministria, për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Tani për të mbuluar problemin e zhdukjes së mostrave, duan ta zhvendosin fajësinë duke e shkarkuar kryeinspektorin Topalli. Mbi të gjitha, vendimi për shkarkim, është vendim politik, nuk është vendim juridik”, deklaroi Gruda.
Derisa shtoi se ajo që po ndodh aktualisht në Ministrinë e Drejtësisë, rreth provave të rastit Dehari, është tragjike dhe njëkohësisht qesharake.