Me 3 prill të vitit 1999, u kthye edhe një herë në shtëpi.
E në dyer të saj, Ardian Bajraktari, e takoi axhën Fehmiun.
Ky i fundit nuk i ishte bashkuar turmës së bashkëfshatarëve që u larguan nga mali për t’iu shpëtuar granatimeve serbe.
“Pas ca metrave që ishin nisur, unë u ktheva për ta marrë një xhemper se e kisha harruar dhe atë e pash këtu, mu drejtua me fjalët pse u ktheve, shkova e mora dhe kur dola ai prapë qëndronte aty, më tha a po e merr shporetin”, tregon Ardian Bajraktari, nipi i martirit Fehmi Bajraktari.
Për mbi dy muaj, askush më nuk dinte gjë për fatin e Fehmi Bajraktarit.
E me 14 qershor, fëmijët e fshatit Kishnarekë, në malin mbi fshat, hasën në trupin e pajetë të Fehmi Bajraktarit.
Pas kësaj, menjëherë u njoftua komandanti i njësitit “Pëllumbi 3” në Kishnarekë, Bedri Bajraktari.
Ky i fundit tregon se në çfarë gjendje e gjetën trupin e bashkëfshatarit.
“Këtu e kam parë trupin e tij, ka qenë i shtrirë në këtë pjesën këtu, e fatkeqësisht kokën e ka pasur në këtë pjesën më poshtë. Me gjasë pas disa muajsh që ka qëndruar i është shkoqur koka. Me gjasë vrasja e tij ka ndodhur prej granatimeve, shihen gjurmët edhe në lisat përreth. E ka pas një plagë në këtë pjesën e brinjëve”, tregon komandanti i njësitit “Pëllumbi 3, Bedri Bajraktari.
E në 25 vjetorin e vrasjes së tij, familja Bajraktari priti edhe një herë dhjetëra mysafirë.
Me këtë rast, u zbulua edhe pllaka në vendin ku për herë të fundit u pa i gjallë, Fehmi Bajraktari.
“Kjo pllakë për ne dhe gjeneratat që do të vijnë, do të shënojë vendin e sakrificën me nderimin për jetën e Fehmiut, të qytetarit në dukje të thjeshtë, por me gjakun e tij ai ishte kontribuues dhe dëshmitar se si u farkua liria”, tha kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
E këtu u kujtua edhe gëzimi që Fehmiu e kishte pasur kur pa se edhe djemtë e fshatit, kapën pushkën për lirisë.
“E kujtoj me shumë emocion, reagimin e tij, lidhur me fillimin e UCK-së, formimin e njëstitit “Pëllumbi 3” në fshatin tonë, pas zhvillimeve në Likoshan e Qirez, me tha në një moment, kisha frikë se po vononi dhe do të ishte e pafalshme, që të filloni edhe këtu luftën e Adem Jasharit”, tha familjari Sahit Bajraktari.
Ndryshe, Fehmi Bajraktari, me 28 nëntor të vitit 1998, ishte shfaqur prapa ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në fshatin Divjakë të Lipjanit.