Dëshmitari Fondaj tregon se kujt i ka raportuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, flet edhe për Policinë Ushtarake

Aktuale

Dëshmitari Fondaj tregon se kujt i ka raportuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, flet edhe për Policinë Ushtarake

Nga: Bota sot Më: 25 qershor 2024 Në ora: 07:51 Përditësuar në ora: 15:18 më 25.06.2024
Dëshmitari Kurtesh Fondaj

Fondaj tregon se kujt i ka raportuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, flet edhe për Policinë Ushtarake

Dëshmitari Kurtesh Fondaj ka folur në Hagë për periudhën e nëntorit 1998 e tutje kur edhe kishin realizuar disa takime në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se kishte marrë pjesë në dy-tri takime, e që i kishin raportuar Salih Veselit.

“Gjatë periudhës së nëntorit, komandantët e brigadave, kanë referu në Shtab të Përgjithshëm dhe kanë pasur takime të rregullta javore. Në 2-3 takime kam marrë pjesë edhe unë së bashku me komandantët e tjerë të brigadave të Zonës Operative të Pashtrikut. I kemi raportu Salih Veselit që ka qenë zëvendës i shefit të Shtabit të Përgjithshëm…Dhe takimet përgjithësisht në atë periudhë i ka mbajtë Salih Veseli. Edhe një herë po e përsëris se me Selimin nuk jam taku më gjatë luftës përveç atyre dy rasteve që i përmenda”, tha Fondaj.

Ai tha se të gjitha të dhënat dhe referencat që i kanë përcjellë gjatë asaj kohe në Shtabin e Përgjithshëm, kanë qenë të karakterit operativ. Pohoi se nuk e di me siguri nëse Salih Veseli i ka ndarë me anëtarët e tjerë të shtabit referencat që ka marrë nga vetë ai.

“Nuk ka qenë punë e jemja për me u marrë me atë problematikë”, tha ai.

Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts e pyeti dëshmitarin për një dokument që është përgatitur nga vetë ai më 10 nëntor 1998 drejtuar Policisë Ushtarake, në të cilin kishte pretenduar që janë disa persona që paraqiteshin si Polici Ushtarake dhe ishin në komandën e Ukë Gegajt.

Pas kësaj, Roberts tha se dëshmitari kishte deklaruar se disa ushtarë të Policisë Ushtarake kishin shkuar në Nishor në një dokument që kishte vulën e Ukë Gegajt, ku kërkohej një automjet i tipit “Land Rover” që t’i jepej Brigadës 121.

“Ukë Gegaj ka qenë brenda Brigadës 121, por e përdorë një vulë që është nga Policia Ushtarake e Shtabit të UÇK-së”, tha Fondaj.

Ai shtoi se kjo e bëri që të kishte dyshime në këtë dokument për çka edhe e njoftoi Shtabin.

Dëshmitari mohoi të ketë marrë urdhra ndonjëherë nga drejtoria e Policisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm.

“Unë nuk kam marrë urdhra nga Drejtoria e Policisë Ushtarake, (edhe nëse do të ndodhte) me siguri do ta njoftoja shefin e Shtabit për interferim, respektivisht për ndërhyrje nga persona të paautorizuar”, tha ai.

Dëshmitari pohoi se Drejtoria e Policisë Ushtarake në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm nuk ka pasur funksionin që të lëshojë urdhra për drejtoritë e Policisë Ushtarake nëpër brigada dhe se një gjë të tillë është dashur ta bëjë komandanti i tyre.

Në seancën përgatitore me ZPS-në, dëshmitari kishte thënë se askush nuk i kishte njoftuar se kur është krijuar Drejtoria e Policisë Ushtarake në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm dhe as që nuk ka qenë pjesë e saj.

Avokati Aiden Ellis në kuadër të mbrojtjes së Jakup Krasniqit i filloi më pas pyetjet për dëshmitarin.

Dëshmitari thotë se nuk e ka ditur se cilat kanë qenë detyrat e Selimit gjatë luftës, e quan trim

Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se nuk e ka ditur se cilat kanë qenë detyrat e Rexhep Selimit gjatë periudhës së luftës.

“As atëherë, as sot nuk e di se cilat kanë qenë detyrat e tij”, tha ai, duke shtuar se nuk i dinte as marrëdhëniet e tij me Bislim Zyrapin.

Fondaj tha se Selimi ka qenë gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe e quajti si luftëtar trim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

”Faktin se ai ishte në Kosovë nuk do me thanë kjo, por domethënë që realisht ka qenë një prej luftëtarëve më trima që në rrethanat e muajit shtator me qëndru në Kosovë ka qenë problematike. Sidomos në muajin shtator po e përmendi”, tha Fondaj.

Tutje, Fondaj mbeti i qëndrimit se nuk i kujtohet nëse është takuar ndonjëherë tjetër me Selimin dhe se shtatori 1998 është hera e fundit kur ishin takuar.

“Unë e kam respektu Rexhep Selimin dhe kam pas qef me u taku me atë edhe privatisht. Nëse do ta kisha ditë që ai ka qenë afër meje do ta kisha insistuar që të takohem me atë qoftë për ta përshëndetur”, tha ndër tjerash Fondaj.

Gjithashtu, dëshmitari u pyet edhe për strukturën organizative të Brigadës 123, në të cilën ai kishte udhëheqësinë, teksa mohoi të ketë dëgjuar se ka pasur ndonjë objekt ndalimi ose të ndaluar në ato zona.

Fondaj: Vetëm dy herë jam takuar me Rexhep Selimin gjatë luftës

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Kurtesh Fondaj tha se kishte pasur dy takime me Rexhep Selimin, e që i fundit sipas tij kishte ndodhur në shtator të vitit 1998.

Takimi i cili pretendohet të ketë ndodhur më 21 shator 1998 në të cilin ishte i pranishëm edhe Hashim Thaçi, dëshmitari tha se ka qenë më shumë për këshillim dhe jo për të marrë detyra nga ata të dy, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë kam udhtu në Abri për këshillim me këta dy persona se e kam ditë që janë atje sepse paraprakisht e kam pa situatën e komplikume në zonën ku kam vepru. Unë kam shku për konsultim. Jam konsultu dhe kemi bisedu për mënyrat dhe format se si mundemi me u gjet mas miri në atë situatë. Më tepër ka qenë këshillim se marrje detyrash. Tash interpretimi se si ka mujtë me rrjedhë nuk e di se ata nuk më kanë caktu detya, por kemi komuniku për halle dhe probleme që kemi pas në atë periudhë”, tha Fondaj.

Dëshmitari tha se në atë takim janë dhënë këshillime, por edhe vërejtje.

Ai tha se ka qenë adhurues i vijës së vogël ushtarake që kanë pasur dhe si shenjë respekti personal ka dashur që të jetë në koordinim të plotë me strukturat komanduese por jo që ka qenë detyrim.

Ndërsa, hera e parë kur është takuar me Selimin, dëshmitari tha se ka qenë në mes datave 10 dhe 11 shtator 1998.

“Me zotëri Selimin jam taku paraprakisht me datën 10-11 shtator në fshatin Dobërdolan. Ai ka qenë bashkë me Hashim Thaçin dhe ata kanë vazhdu në Abri, prandaj e kam ditë që kanë qenë në Abri. Ndërsa, në Abri ka qenë kontakti i fundit me Selimin gjatë luftës. Pra, gjatë luftës jam takuar vetëm dy herë me Rexhep Selimin. As mas luftës deri dje”, tha Fondaj.

Fondaj foli edhe për Sokol Bashotën për të cilin tha se e ka njohur me nofkën “10-shi”

“Kur kom kontaktu me atë kam kontaktu si me 10-shin. Nuk e kam ditë se kush është 10-shi. Kur jemi taku e kam kuptu se kemi të bëjmë me një person që emri i tij ishte Sokol Bashota”, tha ai.

Fondaj: Veseli ka qenë jashtë Kosovës, kontakti i parë me atë ka qenë në prill 1999 

Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli kontaktin e parë kur ai ishte emëruar udhëheqës i Zbulim Kundërzbulimit e kishte pasur në prill të vitit 1999.

Fondaj tha se në këtë cilësi, kontaktin e parë me Veselin e kishte pasur në fund të muajit prill dhe se deri atëherë nuk e dinte që është kthyer në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur u shku nuk e di, por realisht unë diku e kam taku në muajin prill 1999. Deri atëherë nuk kam qenë në dijeni që është kthy dhe kontakti i parë që kam pasur me atë ka qenë në fund të muajit prill”, tha dëshmitari.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument i marsit të 1999-ës, në të cilin Halil Çadraku dhe Sadik Halitjaha kishin bërë ankesë në Shtabin e Përgjithshëm. Për këtë, dëshmitari tha se data e këtij dokumenti nuk përkon me periudhën kur Veseli ka qenë në territorin e Kosovës.

“Vetëm e di që ai nuk ka qenë në territor të Kosovës. Kaq”, tha Fondaj.

Dëshmitari tha se është i vetmi dokument që dëshmitari kishte parë që Çadraku ia kishte dërguar Shtabit të Përgjithshëm. Ai shtoi se nuk dinte për punën dhe veprimtarinë e Çadrakut.

“Këtë dokument pas luftës e kam pa dhe s’e kam pa gjatë fazës së luftës dhe po është i vetmi dokument. Unë nuk kam informacion dhe s’e di për veprimtarinë dhe punën e tij…Unë nuk kam qenë në dijeni të punës së Çadrakut, por vetëm informacionin që e bazoj unë është në këtë dokumentin që ju mbani në dorë. Nuk kam dyshu që ai nuk po punon dhe ka punu keq, por lëshimet i ka bërë prej mosdijes. Kur njeri nuk di vjen tek injoranca dhe mosdija. Nuk besoj që ka pas ndonjë tendencë të caktume”, tha dëshmitari.

Tutje, avokati Veselit, Ben Emmerson e pyeti dëshmitarin se a është e drejtë të thuhet se në rast që Çadraku mund të ketë folur në ndonjë rast privatisht me ndonjë nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, nuk ka pasur mundësi që ky person të jetë Veseli për shkak se ai në atë periudhë nuk ka qenë në Kosovë.

“Është e vërtetë që Veslei nuk ka qenë në Kosovë në atë periudhë”, u përgjigj Fondaj.

Tutje, Emmerson i tha dëshmitarit se a pajtohet të thuhet që ky dokument i prezantuar është thjesht një dokument me ankesa për funksionin e brigadës dhe jo që ka qenë ndonjë përmbajtje me informacion zbulimi apo inteligjencës, pra është ankesë për komandantin e zonës.

“Realisht është i titullum edhe si një deklaratë. Nuk është raport”, tha Fondaj.

Tutje, me pyetje për këtë dëshmitar vazhdoi mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts.

Vazhdon dëshminë Kurtesh Fondaj në rastin Thaçi dhe të tjerët, thotë se s’ka qenë pjesëtar i FARK-ut

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë ish-ushtari i Zonës Operative të Pashtrikut, Kurtesh Fondaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Fondaj tha se nuk ishte pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Në seancën e së martës, pyetjet për këtë dëshmitar i ka vazhduar avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Mishetiq u fokusua tek një intervistë e dëshmitarit me Zyrën e Prokurorit të Specializuar lidhur me disa akuza që supozohet që i kishte bërë Halil Çadraku që kinse Fondaj ishte anëtar i Forcës së Armatosur të Republikës së Kosovës (FARK).

“Është e vërtetë se ka ekzistu formacioni UÇK dhe fillimisht ka ekzistu Ministria e Mbrojtjes në Qeverinë Bukoshi, mirëpo edhe formacionet që janë formu në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes janë quajt FARK. Në periudhën tetor-nëntor, ka pas iniciativa edhe kogja shumë përpjekje që këto dy subjekte ushtarake të unifikohen në një dhe gjatë fazës së muajit nëntor është arritë një marrëveshje ushtarake për unifikim të ushtrisë. Për sa i përket mua, unë si pjesëtar i FARK-ut nuk kam qenë, unë kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Por edhe dje gjatë intervistave e përmenda se FARK-u në territorin e Kosovës kanë vepru si njësi e UÇK-së. Pra, ata e kanë pas edhe emblemën edhe i kanë raportu Shtabit të Përgjithshëm në nivel të Kosovës dhe jo Ministrisë së Mbrojtjes. Kur them ‘jo’, kjo mundet me qenë me rezervë, por që i kanë raportu Shtabit të Përgjithshëm është evidente”, u përgjigj.

Fondaj shtoi se pretendimi i Çadrakut mund të ketë qenë pasi dëshmitari kishte kërkuar unifikimin e FARK-ut dhe UÇK-së. Ai shtoi se FARK-u ka figuruar në Shqipëri dhe jo në Kosovë.

Fondaj tha se është përpjekur që jeta në ushtri të jetë institucionale, për çka tha se mendon se kjo është arritur.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson, Fondaj tha se Çadrakut i ishte tërhequr vërejtja nga Ekrem Rexha për veprimtaritë e tij gjatë funksionit të tij si pjesëtar i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ).

Fondaj gjithashtu shtoi se Çadraku e kishte cilësuar këtë vërejtje si tendencë për bllokimin e punës së ZKZ-së.

Dëshmitari Kurtesh Fondaj tha se përfaqësuesi i ZKZ-së brenda brigadës së tij i merrte urdhrat nga komandanti i Brigadës.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit, i cili është i cili po e përcjell seancën përmes video-lidhjes. Në të njëjtën formë, është i pranishëm edhe gjyqtari Christopher Barthe, për të cilin kryetari i turpit gjykues Chalres Smith tha se për arsye personale nuk ka mundur të jetë i pranishëm fizikisht në sallë.

Përpara se të dëgjohet dëshmia e këtij dëshmitari, avokati Emmerson kërkoi që të kalohet në sesion privat për t’i trajtuar disa çështje, e që kjo u aprovua nga trupi gjykues.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë sot vazhdon dëshminë e tij dëshmitari i 73-të, me kodin W04744, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kurtesh Fondaj. Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth tri ditë.

Pyetjet për këtë dëshmitar të hënën i ka filluar prokurori Matt Halling, i cili tha se ai do të flasë për mënyrën se si ka funksionuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Gjatë seancës së djeshme dëshmitari Fondaj tha se Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) të cilat pretendohet se kanë qenë krah ushtarak nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në territorin e Kosovës, nuk ka pasur në Kosovë. Sipas tij pjesa e ushtarëve që kanë qenë fillimisht nën Ministrinë e Mbrojtjes, kanë vepruar me emblemë të UÇK-së.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë pritet të mbahen katër seanca, sot ajo pritet të fillojë në ora 09:00.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë deklaruare të pafajshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat