Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit ndaj mësimdhënës, Gjylfidane Morina, ajo po dyshohet për veprën penale mashtrim.
Në dosjën që e ka siguruar Insajderi bëhet me dije se Morina ka mashtruar 14 persona, duke u shkaktuar dëmë material në vlerë prej 2 mijë 525 euro. Secili prej tyre u kërkonte nga 125 ose 250 euro.
“Më parë e gjer me dt. 05.06.2024 rreth orës 10:00, në Klinë, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, i mashtron personat tjerë dhe me këtë i nxit personat që të kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që si menaxhere e OJQ-ës “NE JEMI PJESË E BOTËS”, me seli kryesore në Fushë Kosovë, dega në Pejë…”. thuhet në dosjen e prokurorisë.
Si rrjedhojë, bazuar në dosje Morina u thotë të dëmtuarve se duhet të paguajnë paraprakisht për subvencion kinse për sera, duke ia përcjell të hollat në xhirollogarinë e saj.
Në momentin që të dëmtuarit nuk pajisjen me çka ajo u premton, thotë se të hollat i ka përdorur për mjekim.
“…pasi i bindë këtu të dëmtuarit: V.D E.Q, P. M, A. Sh, K. Ll, L. D, F.R, N.Gj, P. V, B. B, A. B, L. B, A. Th dhe M. F, të cilët ishin të interesuar për aplikim në emër të bashkëshorteve të tyre se kinse përmes Shoqatës në fjalë do tu ndahen SERA si donacion, të njëjtëve u thotë se forma e aplikimit për tu pajisur me to është nëse të njëjtit do të paguanin paraprakisht në emër të shpenzimeve për transport e montim, në xhirollogarinë e saj personale në “NLB Bank” me nr…., shuma të hollash varësisht nga sipërfaqja që do të mbulonin me Sera, duke ju shkaktuar dëme në këtë mënyrë të njëjtëve në shumën totale prej dy mijë e pesëqind e njëzet e pesë euro (2, 525.00 euro) dhe kur të dëmtuarit nuk pajisen me këto Sera dhe nga e njëjta kërkojnë të hollat e paguara, ajo arsyetohet se këto të holla i kishte shfrytëzuar për mjekim“, thuhet në dosjen që e ka siguruar gazeta.
Të dëmtuarit në këtë rast kanë deponuar në xhiro-llogarinë e mësimdhënëses shuma prej 125-250 euro.
Mësimdhënësja Morina edhe në të kaluarën ishte dënuar për mashtrim, madje 3 herë.
“…në të cilën figuron se e pandehura ka qenë e dënuar 3 herë me Aktgjykim të formës së prerë dhe atë : sipas Aktgjykimit të formës së prerë nën Pnr.25/2009 të datës 16.03.2019 të GJTH-Pejë është shpall Fajtore dhe dënuar me dënim me kusht për vepër penale të – Mashtrimit nga neni 261 të KPK-së, po ashtu me Aktgjykim të plotfuqishëm të GJTH- Gjakovë nën Pnr.287/2016 me datë 19.02.2019 për të njëjtën vepër është shpall fajtorë dhe dënuar me dënim me gjobë dhe me kusht nga neni 335 i KPK-së, sikurse me Aktgjykim të formës së prerë nën Pnr.249/2017 të datës 17.10.2019 është shpall fajtorë dhe dënuar me dënim me gjobë për vepër penale – Mashtrimi nga neni 335 të KPK-së“.
Gazeta ka raportuar ekskluzivisht për rastin e mësuese Gjylfidane Morina.
Në orët e hershme të mëngjesit, ka raportuar se bëhet fjalë për Organizatën joqeveritare “Ne jemi pjesë e botës”, ku Morina figuron ta ketë pozitën e menaxheres.
E themeluar nga e dyshuara, Gjylfidane Morina dhe Atifete Demaj e Bexhet Basha “Ne jemi pjesë e botës”, figuron të jetë e regjistruar nga viti 2005.
Gazeta ka provuar të kontaktojë në numrat e telefonit që figurojnë për këtë OJQ, por nuk kanë qenë të qasshëm.