Pas një bojkoti dyvjeçar të proceseve në Kosovë nga Lista Serbe, kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, ka votuar për zgjedhjet parlamentare.
Ellek, partia e të cilit po ashtu është pjesëmarrëse në zgjedhje, votoi në shkollën “Sveti Sava” në Mitrovicë të Veriut, i shoqëruar me pjesëtarë të partisë së tij dhe qytetarë të tjerë serbë.
Në zgjedhjet e së dielës marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që nga themelimi i saj në vitin 2013, ka mbajtur të dhjeta ulëset parlamentare në Kuvendin e Kosovës, të rezervuara për komunitetin serb. Megjithatë, në dy vjetët e fundit kjo parti ka bojkotuar institucionet e Kosovës në përputhje me vendimin për të braktisur institucionet kosovare me qëllim të parandalimit të heqjes së targave serbe. Qëllimi nuk është arritur, dhe përveç riregjistrimit të automjeteve me targa RKS (Republika e Kosovës), janë mbyllur dhjetëra institucione që funksiononin në sistemin e Serbisë, të cilat Kosova i konsideron ilegale.
Edhe pse kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, gjë që çoi në ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë, këtë herë Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të “ruajtur unitetin e serbëve dhe dhjetë mandatet parlamentare”./REL