Euroliga mbylli javën e 26-të me një super fitore të Olimpiakos në Palau Blaugrana të Barcelonës përballë katalanasve, 88-90. Koshi në sekondën e fundit nga Evan Fornier i dha fitoren skuadrës greke, e cila mbyll kështu një javë perfekte në transfertë duke fituar me Parisin të mërkurën dhe sot me Barcelonën.
Ndeshja nisi e ekuilibruar dhe vetëm një shkëputje nga Olimpiakos në periodën e parë me 8 pikë mund të shënohet si e vetmja herë ku një nga skuadrat tentoi të arratisej.
Por gjithçka më tej do të sheshohej dhe do të vijonin për shumë minuta në barazpeshë ku ndeshja në total pati 20 ndryshime udhëheqjesh teksa kalonte sa në njërin krah në tjetrin me jo më tepër se 3 pikë diferencë.
Jo vetëm mbrotje e fortë, por edhe sulme shumë efikase nën atmosferën elektrizuese të tifozëve. Pas periodës së dytë Bartzokas do të shfaqej në intervistë jo i kënaqur me mbrotjen e lojtarëve të tij, kjo pasi Barcelona me Metu Brizuela apo Punter i kishte shënuar në çdo pikë të zonës.
Pjesa e dytë është sërish e ekuilibruar, por dhe me tension, stoli i Barcelonës merr faull teknik dhe gjithashtu jepen edhe faulla antisportivë për ndërhyrje të ashpra. Në periodën e katërt duket se gjyqtarët nxitohen me dy ose tre sinjalizime në dëm të katalanasve dhe trajneri Penarroja e humbet qetësinë.
Takimi arrin në barazim 88-88 me 18 sekonda në kronometër. Olimpiakos luan sulmin e fundit me dyshen Vezenkov-Fornier, francezi arrin të shmangë mbrojtësin e tij, Parker dhe shënon një trehapësh tejet të vështirë kur në kronometër kishin mbetur 0,2 sekonda e më tej gjithçka përfundoi në festë për Olimpiakos që fiton kështu një transfertë shumë të vështirë. Olimpiakos qëndron në vend të parë pas kësaj fitoreje me dy fitore larg vendit te dytë, ndërsa Barcelona zbret në vend të 9-të .