Morgu i spitalit kryesor në Rumani nuk ka më vend për të vdekurit. Në një shenjë të qartë të kostos njerëzore të përhapjes së koronavirusit, trupat e viktimave të Covid-19, të mbështjellë në qese të zeza, shihen në korridorin e një spitali në kryeqytetin Bukuresht.
Qindra njerëz kanë vdekur çdo ditë në dy muajt e fundit në Rumani, vend që është prej më të goditurve në valën e fundit të pandemisë, që ka përfshirë pjesë të Evropës Qendrore e Lindore, ku shumë më pak njerëz janë vaksinuar në krahasim me Evropën Perëndimore.
“Një fshat zhduket përditë në Rumani. Po çfarë për një javë apo një muaj? Një fshat më i madh? Ose një qytet? Ku ndalemi ne”, thotë Dr.Catalin Cirstoiu.
Ekspertët e kanë fajësuar shkallën e ulët të vaksinimit për rritjen e numrit të viktimave. Rreth 40 për qind e popullsisë në Rumani është vaksinuar – shumë më pak se mesatarja prej 75 për qind e Bashkimit Evropian.
“Jemi të dërrmuar financiarisht, fizikisht e psikikisht. Të gjitha këto, në fund të ditës, shkaktohen nga një gjë: paaftësia e popullsisë për të kuptuar se duhet të vaksinohet”, shtoi mjeku i dëshpëruar, Dr. Cirstoiu.