Projekti për sheshin, bustin dhe shtëpinë muze të Aleksandër Moisiu shkuan në duart e kryetarit të Morcotes-Zvicër

Diaspora

Projekti për sheshin, bustin dhe shtëpinë muze të Aleksandër Moisiu shkuan në duart e kryetarit të Morcotes-Zvicër

Nga: Dashnim Hebibi Më: 10 korrik 2024 Në ora: 18:12
Foto e dërguar nga autori

„Gjithë natën nuk kam fjetur. Mezi se pritja orën që të ofrohet, të del drita dhe të nisem për një qëllim fisnik. Diçka më shponte në gjoks. Për çudi nuk thonin sytë me gjuhën e tyre të lodhjes, se duhet të pushosh. Përgadita të gjitha gjërat që duhet i marrë me vete. Te Moisiu nuk duhet të shkosh pa u veshur bukur, sepse edhe ai kishte pedantëri. A ta mar kamerën apo jo, pyetje i bëja vetes, po, përgjigja më vine, merre, sepse mbetet kujtim. Si të shkoj me këpucë elegante apo me sportive, jo, se artisti nuk donë të jesh me atlete sportive, ke të bësh me një artist të papërshkrueshëm, yll i formës së vet.

Sa u bë ora 05.15 dola para banëses të mirëpres miqtë e mi që vinin deri tek unë dhe të nisemi për në Morcote, atje ku pushon përjetësisht Aleksandër Moisiu. E prita Rafet Ademin nga Tërnoci i Mollës së Kuqe një veprimtarë e artistë, Përparim Sabriu nga Sruga, veprimtar e koreograf me plotë suksese, një djal human e shumë i sjellshëm, Dr.sc. Dashnim Hebibi, mikun tim të kahershëm, ate që më ka përcjellur me vite e vite nëpër skena të ndryshme në Zvicër dhe evropë. Ai që më njeh edhe kur lëvizi edhe kur buzëqeshi, edhe kur qaj edhe kur luaj në skenë. Është ai që ma gjeh alfabetin e shpirtit tim.Po shkojmë në Morcote i thoja vetes, merrë me vete disa shishe me ujë, mos harro edhe ndoj kokërr molle.

Image
Foto e dërguar nga autori

Ti jap ujë miqve të mi, sepse kujtoja prindërit e mi, që musafiri nuk lëshohet pa ujë, bukë e zemër. E dija se nuk do të hyjnë brenda në banesën time të mbushur me libra e plot fotografi jete artisti, sepse e kishim kohën e caktuar për të arritur deri te kryetari i Morcotes në kantonin Tissin, ora 11 ishte planifikuar takimi nga miku jonë, student im, një djal i matur, punëtorë, atdhetarë e nga një familje e madhe me traditë të pastërt. Shkruaja gjithë natën dhe kujtoja. Me terrin e gurbetit, të këtij shteti të bukur si atdhe të dytë që e kam, flisja me shpirtin e Moisiut. Po ku mbet ky Dashnimi që nuk u lajmërua. A po, në ora 06.00 është nisur nga banesa e tij edhe ai është duke i pritur miqtë, Rafetin dhe Përparimin. E patëm lënë në ora 07.00 që të jenë tek unë dhe të nisemi për në drejtim të Luganos e drejt për në Morcote.

Aty kur u bë ora 06.45 minuta, ja telefoni, Dashnimi më priti me këto fjalë: “Si të kam profesor? A je bërë gati? Ne jemi afër banesës tënde. Pa stres mos u ngut. Po të përshëndesin Rafet Ademi dhe Përparim Sabriu. Ejani miq se po ju pres para banesës. Dua ta shijoj daljen e diellit, sepse kujtoja gjithë natën diellin e artit botërorë. Nuk po ju shoh, ku jeni? Mos e keni gabuar rrugën?

Image
Foto e dërguar nga autori

Kur kuptova se ishin pak më lartë, ju thash, se do të vij unë atje tani menjëherë, por jo, Përparimi duke e vozitur veturën e tij e shikoi navigacionin që e kishte Dashnimi dhe u ofruan pas 3 minutave dhe ja unë me telefon në dorë, shihja veturën e Përparimit që ofrohej. Sa zbirtën nga vetura për tu përshëndetur, ju ofrova të pijmë kafe në banesë, por jo nuk pranuan miqtë, sepse ishim nisur në një rrugë të gjatë dhe të jemi me kohë. Sa u nisëm, rruga ishte e bukur, gjithka shkonte me lehtësi. Para se të ofrohemi tek tuneli më i gjatë në evropë në Gothard –Tunnel, kishte ndodhur si duket një ndeshje, apo ishte djegur ndoj shtëpi, sepse shihej një tym i madh. Aty pritëm në rrugë, jo më pak se dy orë e 20 minuta. Në telefon duke folur me Remzi Durmishin, që kishte caktuar kohën e takimit me të parin e Morcotes. Dashnimi me mirësjellje ashtu siç e ka shpirtin e me plot mirëkuptim bisedonte me Remzi Durmishin (Remin), që mundësisht të flas me kryetarin dhe të na jap një takim brenda ditës për arsye të lartëpërmendura dhe i dërgoi edhe foto dëshmi, por edhe mediat zvicerane jepnin informacion për këtë që kishte ndodhur.

Menjëherë Remi e kishte caktuar terminin tjetër për në ora 14.00. Ne e harruam pritjen dhe mërzitjen në rrugë“. Ishin fjalët që fliste në telefon dhe i tregonte ndër të tjera edhe për ecurinë e gjithë ditës, Adem Kicaj, mikut të tij Sylë Mujaj dhe disa miqve të tjerë edhe ate me plot pozitivitet. E fillova reportazhin me fjalët e aktorit, regjisorit, presidentit të shkollës së aktrimit IFTP, z.Adem Kicaj nga i cili edhe unë dhe shumë të tjerë e kishim mësuar se ku pushon përjetësisht, Aleksandër Moisiu. Reportazhet zakonisht janë të gjata për të shkruar dhe ndoshta pak e lexojnë, por ata që e lexojnë e duan artin dhe kanë traditë leximi, prandaj edhe do të zgjatem, duke respektuar profesionalizmin në të shkruar, në këtë profesion të dashur e fisnikë të gazetarisë. Edhe syri i kamerës çka nuk mundet të kap, përshkruhet nga syri i gazetarit.

„Shikoni, pra, që gjaku im i përket origjinës sime dhe origjina është ajo që e thotë fjalën e fundit“ (Aleksandër Moisiu)

Takim pune me të parin e Morcotes në Zvicër, z. Giacomo Carratti. Po shkon drejt jetësimit në Zvicrën mike, projekti i nisur më 24.03.24 nga Morcote kanton Tessin, ku pushon përjetësish, Aleksandër Moisiu, aktori më i madh i skenës evropiane në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, pra sheshi, busti dhe shtëpia muze e Aleksandër Moisiut. Në takim ishim me të çmuarin, Adem Kicaj, Lulëjetë Dragidella, Rafet Ademi dhe Përparim Sabriu. Falënderojmë, mikun, Remzi Durmishi (Remi), që na mundësoi takimin. Përcollëm zërin e gjithë mërgatës sonë dhe mbështetjen e tre ambasadave në Zvicër, ate të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Vazhdojmë! Së shpejti një reportazh për disa nga mediat tona! Këto fjalë i postova ditë më parë në Fb dhe u mirëpritën nga shumë miq që jetojnë gjithandej diasporës, por edhe nga atdheu. Për mbështetjen e projektit, për të jetësuar sheshin, bustin dhe shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut kemi marrë mbështetje edhe nga tre ambasadat, ajo e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore.

Aleksandër Moisiu është kujtuar në Zvicër nga Adem Kicaj, aktori, skenaristi, regjisori, presidenti i shkollës së aktrimit IFTP me studentë dhe miq të tij, së bashku me veprimtarin e çështjes kombëtare, z. Sylë Mujaj i shoqëruar me veprimtarë të tjerë që jetojnë në pjesën e Luganos e Tiçinos i cili është edhe njohës i mirë i jetës dhe veprës së Moisiut për shumë vite me radhë, ku vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Prandaj, ky grup inicues të dalur nga data 24 mars e vitit 2024, menjëherë u angazhuan që të takohen drejtpërdrejt me tre ambasadorët shqiptarë që veprojnë në Zvicër për të marrur mbështetje, nga ambsadori i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ai Republikës së Kosovës.

Ishte paralajmëruar, se gjatë ditëve në vazhdim pritet që të vazhdohet me punë të tjera dhe shpresojmë shumë se edhe komuna e Ticinos do ta miratoje kërkesën dhe projektin e dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tanë, por edhe të artistëve e dashamirësve të artit në përgjithësi, sepse Moisiu ishte me gjakë shqiptari, por i dha shumë artit në përgjithësi.

Ky staf inicues i projektit me datë 08.07.2024 u prit nga kryetari i Morcotes

Ashtu edhe siç e përshkruajti z.Kicaj nisjen për në Morcote dhe që ishte me plot emocione, ashtu edhe u kalua me mënyrën më të mirë të mundshme. Me të arritur në Morcote, z.Kicaj kishte lajmëruar, poeten, veprimtaren, zonjën Lulëjetë Dragidella që t`na shoqëroj. Shumë prej grupit inicues ishin nëpër pushime e disa nëpër puna, me rëndësi, që ky projekt të jetësohet. Edhe Remzi Durmishi nuk mundi të jetë prezent, sepse kishte caktuar punë për orët në vazhdim, edhe pse na kishte lajmëruar, se në ora 11.00 ju mirëpret kryetari dhe nga ora 12.30 mua më duhet të jem në disa punë të tjera të përditshmërisë, pasi që i kishte caktuar më herët. Sa madhështore, kur të gjithë kuptohen mirë mes veti, me rëndësi, që të ecet dhe të realizohet qëllimi. Pas drekës së shtruar nga strugani Përparim Sabriu, iu drejtuam komunës së Morcotes. Ishte bërë ora 13.50 dhe sapo hymë në objektin e komunës, dera na u hap nga vëzhgimi i kamerave, që na kujtoi, se gjithçka është e lajmëruar, si në Zvicër, gjithçka sipas planit dhe përpikshmërisë. Na priu zonja Dragidella në gjuhën italiane dhe ishte fat i mirë që edhe kryetari i Morcotes e zotëronte edhe gjuhën gjermane sepse kishte studiuar në Cyrih, por ne respektuam zonjën Dragidella që të na ndihmoj edhe në komunikim. Ishim përgaditur shumë mirë për të ecur takimi. Sapo u përshëndetëm dhe na prezentoi zonja Dragidella, fjalën e mori, z.Adem Kicaj, ku bëri një prezentim më të plotë dhe e filloi prezentimin e projektit, ku e falënderoi kryetarin për kohën e tij që e ka caktuar. Adem Kicaj përmend të gjithë përkrahësit e projektit me emër dhe mbiemër, pa harruar bashkëpunëtorin e tij Musa Sylejmani e shumë të tjerë.

Pasi prezentoi projektin, filloi edhe një bashkëbisedim mes kryetarit të Morcotes, z.Giacomo Caratti me të gjithë të pranishmit, ose me grupin inicues. Z.Kicaj ndër të tjera tha se, sigurisht e dini se kush është Moisiu, por më lejoni që ti them disa fjalë: “Aleksandër Moisiu, legjenda që mahniti teatrin botëror.

Të njohësh një njeri është si të njohësh një komb’’ është shprehur një nga personalitetet më të mëdhaja të psikologjisë klasike. Në fakt ai njihte më shumë se një komb dhe e shprehu gjenialitetin e kombit të vet, Shqipërisë. Gazeta “Daily mail” e vleresonte Moisiun: “Njeriu me zërin e artë” (Londër, 24, maj, 1930), gazeta “New York Evening Post e quante atë: “Moisiu i zërit të famshëm” (14, nëntor, 1927).

artisti magjik, i përjetshëm, i papërsëritshëm, gjeni, pak të thuash talent, i paparë, fenomeni, lapidar i teatrit botëror quhej Aleksandër Moisiu. Cvajg e përshkruan kështu, “Shekulli ynë ishte në të hyrë, kur në skenën gjermane u dëgjua për herë të parë zëri i aktorit të panjohur; ishim në pritje të diçkaje të madhe, sepse ai zë nuk ishte si zërat e tjerë, në të kumbonin nota të reja, magjepsëse, origjinale, të tilla që të mbeteshin të paharruara në kujtesë po t’i dëgjoje qoftë edhe një herë të vetme. Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste melodioziteti i ngrohtë, plot diell…” Në karrierën e vet ai shënon (1910 -1935) dhjetë filma, shtatë prej të cilëve pa zë. Megjithatë teatri është shtëpi që nuk braktiset dot aq lehtë nga aktorët, këtë më mirë e dinë ata që janë aktorë e vdesin në skenë. Ai kërkon më 1934 të marrë nënështetësinë shqiptare. “Unë nuk dua të vdes si aktor gjerman” – ka deklaruar Moisiu që sikur donte të parashikonte dramat që do të vinin më pas me luftën botërore dhe nazizmin. Gjithashtu ai e ka marrë edhe shtetësine italiane. Aleksander Moisiu u nda nga jeta më 22 mars të vitit 1935 në Vjenë, ndërsa është i varrosur në varrezat Morcote në Lugano të Zvicrës. Ai ishte aktorë që kishte lindur për të interpretuar Hamletin.

Për të pati shkruar edhe Franc Kafka e pas Kafkës, është e kotë të flitet:
“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit.” Në arkivin e muzeut të teatrit Austriak në Vjenë që është pjesë e Muzeut Historik të Artit, gjendet fondi i Alexander Moissi. Fondi është i ndarë në disa sektorë. Bashkëshortja e Aleksandrit, aktorja Johanna Terwin i dhuroj këtij fondi një pjesë të madhe nga dokumentacioni ekzistues, në mes tyre edhe kujtimet e saj për momentet më të spikatura të jetës së tyre artistike e bashkëshortorë“. Biseda shkonte rrjedhshëm, sa që i ndimoi edhe Dashnim Hebibi ku me leje filloi të kujtoj edhe ca gjëra interesante për Moisiun nga ajo që kishte shfletuar dhe ndër të tjera theksoi: „

Në gjendje shpirtërore të dëshpëruar, me këpucë të grisura, gjysmë i zbathur, me trupin e vogël që dridhej nga të ftohtit e dimrit të egër Vjenezen leckat që mbante veshur, ai endej rrugëve të qytetit për të kërkuar punë. Kjo situate e ndoshta ndonjë ftohje e mëparshme bëhet shkas për një sëmundje të rëndë të mushkërive e cila me vonë do ti marre dhe jetën. Duke shfrytëzuar njohjet nga konservatori, fillon të punoje si Claquere (person që paguhet të duartrokas gjatë një shfaqje) në Hofoper ku shkonte çdo natë. Gjate ditës ai punon si ndihmës-varrimesh në Zentralfriedhof (varrezat qendrore), ku asistonte në ceremonitë e varrimeve që në Vjenë janë shumë klasike, që më vonë i shërben në krijimin e figurave artistike ku vdekja ishte pjesë në atmosferën e rolit, si të princi Hamlet. Sipas një thënie klasike: Të zgjedhurit e “Qiellit” dhe gjenitë vdesin herët, të rinj… Ashtu edhe Aleksandër Moisiu, vdiq ku ishte 56 vjeç, në kulmin e prodhimtarisë e të gjenialitetit të tij skenik.Është interesante për tu treguar: Një here në ditët e para të vitit 1935, kur Moisiu gjendej në turne në Itali, dy gazetarë e vizitojnë në gardërobën e tij aktorin e madh i cili përgatitej të luante në skenë rolin e piktorit Luis Dubedat të “Il dilemma del dottore”. Për rastësi në këtë pjesë ka një skenë ku një gazetar pyet piktorin artist që vuan nga tuberkulozi: Ju lutem shkurt më pak fjalë na thoni diçka për sëmundjen tuaj dhe planet tuaja në të ardhmen?? Piktori Louis Dubedat – Moisi duhet sipas tekstit të përgjigjet: Planet e mija në të ardhmen janë shumë të thjeshta. Unë do të vdes….E kështu ndodhi në realitet, pak javë më vone ai vdiq. Fjalët e fundit ai i foli në skenen e Sanremos më 12 mars 1935, gjatë një turneu në Itali. Në rolin e Fedja-s tek “Kufoma e gjallë” shfaqja mbyllej me batutën: ….ndjehem shumë mirë… ndjehem me të vërtetë mirë…. e më pas personazhi mbyt veten…“.

Edhe zonja Dragidella, z.Përparim Sabriu dhe Rafet Ademi duke përcjellur çdo fjalë që flitej në takim, morën fjalët e tyre duke u arsyetuar me fakte, se Moisiu e meriton të ketë sheshin, bustin e tij në këtë qytet. Pas gjithë kësaj bisede të këndshme dhe me shumë emocione, që shpesh i shihja edhe lotët nga sytë e Adem Kicaj, fjalën e mori përsëri i pari i këtij qyteti, ku tregoi rregullat e kësaj teme dhe premtoi, se në ditët në vazhdim do të diskutoj me bashkëpunëtorë që të gjejnë mundësi sipas ligjit kuptohet, që të bëjnë më të mirën e mundshme. Sheshi dhe busti po besohej se do të realizohet dhe duhet shikuar vendi.

Dëshira e të parit të komunës ishte për tu realizuar, por dihet se ai vetë nuk mundet të bëjë, pa vendosur së bashku me bashkëpunëtorë. Kryetari Caratti falënderoi edhe për përshëndetjet e stafit tjetër inicues të këtij projekti, pastaj ambasadat dhe të gjithë shqiptarët dhe artëdashësit që jetojnë e veprojnë në Zvicër.

Z.Kicaj i ndau edhe mirënjohje nga shkolla e aktrimit IFTP në Cyrih me një foto portret të Aleksandër Moisiut, ku kryetari Caratti e mirëpriti me shumë respekt. Z.Hebibi i dha edhe nënshkrimet (kopie) nga data e nisjes së këtij projekti të personaliteteve që ishin në ate kohë dhe të këtij grupi punës që ishim në vizitë si dhe tre letrat mbështetëse të tre ambasadave në Zvicër, nga ajo e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që ishin edhe një mbështetje e fuqishme, se të gjithë shqiptarët janë të një zëri, që duan ta kenë sheshin dhe bustin e Aleksandër Moisiut në këtë shtet ku jetojnë e veprojnë mbi 400.000 shqiptarë.

Gjithashtu, një shkresë në formë të shkruar, nga e gjithë ajo që u fol në takim ishte përgaditur nga grupi inciues dhe u përshtat nga atdhetari i njohur, publicisti që jeton dhe vepron në Milano, Arsim Mulliqaj. Me një fjalë të vetme, të gjithë shqiptarët kudo që gjenden e mirëpresin që të jetësohet ky projekt, sepse do të jetë edhe frymëzim për gjeneratat e reja që të merren me art jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë komunitetet. E sheshi, busti do të jenë edhe një ndihmesë e madhe, që për çdo vjet, që vizitohet ky qytet për ta nderuar Moisiun, në datën e lindjes dhe të ndarjes nga jeta, të vijnë edhe më shumë bashkëkombas të të gjitha trevave shqiptare dhe jo vetëm studentë të z.Kicaj dhe disa veprimtarë që jetojnë në këtë pjesë të Zvicrës dhe tek tuk artëdashës nga e gjithë Zvicra.

Kryetari i Morcotes nuk premtoi shumë, por lajmëroi, se menjëherë sot në orën 17.00 edhe kur do të jetë mbledhja e parë, do të shtroj këtë kërkesë dhe do ti njoftoj të gjithë dhe dëshmi është vizita dhe të gjitha këto dokumente që janë dorëzuar.

Deri më sot, nuk ka kërkuar askush që të përjetësohet ky projekt, megjithate edhe ne si drejtues dhe banorët e kësaj ane, padyshim se do të nderojnë e respektojnë gjithçka që është sipas ligjit. Ai përmendi edhe Ish Presidentin e Kosovës, z.Behgjet Pacolli në formën më të mirë të munshme që banon në këtë pjesë të Zvicrës dhe ka edhe hotelin ndër më të mirët në këtë anë dhe biznese të tjera. Koha kaloi aq shpejt në takim, kur edhe z.Hebibi i dhuroi njërin nga librat e tij më të ri „Atdheu portativ“ edhe pse ishte në gjuhën shqipe, megjithate, rëndësia e librit është e veçantë, sepse aty ka shumë veprimtarë shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe që Zvicrës i janë mirënjohës dhe e konsiderojnë si atdhe të dytë. Koha sapo kaloi e paraparë për takim, kryetari i Morcotes, vazhdoi bisedën për këtë temë edhe për disa minuta dhe falënderoi që të githë veç e veç dhe premtoi se do të dëgjohemi në ditët apo muajt në vazhdim, meqë tash po afrohen edhe pushimet verore. Fotografia e kujtimi në komunë me të parin e Morcotes, ishte edhe një dëshmi, se kryetari ka respekt për komunitetin tonë dhe presim ditën e shumëpritur, që ta jetësojmë Moisiun tonë, Moisiun e artit në një shesh, bust dhe pse jo edhe shtëpinë e tij që e ka në afërsi të Morcotes, ku edhe z.Kicaj i foli më gjerësisht për këtë projekt, që do të ishte mirë, që shtëpia e tij të bëhet muze. Krejt në fund të takimit, grupi inicues u nda shumë i kënaqur, duke u përshëndetur me kryetarin e Morcotes dhe presin që një ditë, do ta kenë duke zbuluar bustin e Moisiut me disa nga personalitet shqiptare nga të gjitha trojet tona shqiptare, pa përjashtua edhe nga grupi inciues. Ate ditë e mirëpresim dhe po besojmë se do të vije, sepse Moisiu i dha shumë artit botërorë. Krejt në fund të këtij reportazhi të gjatë do ta përfundoj me fjalët e Aleksandër Moisiut, që ndoshta, do të ishte e mjaftueshme, që nëse edhe libra e libra të shkruaj për ate takim, ja se çka kishte thënë: „„Shikoni, pra, që gjaku im i përket origjinës sime dhe origjina është ajo që e thotë fjalën e fundit“ (Aleksandër Moisiu) / Përgaditi: Dashnim HEBIBI

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat