Një tjetër natë, me të tjera të shtëna me armë zjarri: kështu duket se po ndodh në Anderlecht, një lagje e njohur në Bruksel.
Pas të shtënave javët e fundit, pati një tjetër rast edhe të martën e shkuar në të njëjtin vend, në stacionin e metrosë Sint-Guido.
Një burrë mbeti i plagosur në këmbë dhe sulmuesi u largua me një skuter elektrik. Ky fenomen shqetësues po rritet në Bruksel dhe bilanci për këtë vit ka arritur numrin nëntë.
Vitin e kaluar, sipas Institutit Flaman të Paqes, kryeqyteti belg u rendit në “top 3” e qyteteve në Europë me më shumë dhunë me armë.
Policia numëroi 92 raste të shtënash me armë në atë kohë. Ky numër është rritur vitet e fundit. Për krahasim, në vitin 2022 ishin 56 raste. Sipas burimeve policore, ka vetëm një fjalë për të shpjeguar rritjen e numrit të të shtënave: droga.
Format e tjera të banditizmit – grabitjet e bankave, vjedhjet klasike – kanë rënë në vitet e fundit, pasi mjedisi kriminal është fokusuar gjithnjë e më shumë në trafikun e drogës.

Mafia shqiptare
Kjo zhvendosje ishte e dukshme me mafien shqiptare, e cila u vendos në Bruksel pas rënies së komunizmit në vendin ballkanik. Fillimisht kjo mafie merrej kryesisht me trafikim njerëzor dhe prostitucion.
“Në kryeqytetin e vendit, Tiranë, kishte edhe një ‘shkollë’, ku vajzave u mësonin marifetet e këtij zanati”, – thotë ish-gjyqtari hetues, Michel Claise. “Nga atje, ato u dërguan në të gjitha kryeqytetet e Evropës”.
Mafia shqiptare në atë kohë ishte shumë aktive edhe në Anversë (Antwerp), veçanërisht në rrethin e punonjësve të sigurisë në lokale e klube nate.
Me kalimin e viteve, shqiptarët u përfshinë gjithnjë e më shumë me drogën. Arrestimet ishin të mëdha, dënimet më të ulëta, siç përmbledh një burim policor për motivimin e tyre.
Sot, mafia shqiptare ka shkuar deri në shitje me shumicë të kokainës: ajo menaxhon transportin nga Amerika e Jugut në Europë.
Mafia shqiptare e ka kthyer Brukselin në një qendër të madhe shpërndarjeje, thonë burimet.
Droga largohet nga kryeqyteti belg për në pjesë të tjera të Evropës. Duke zbërthyer rrjetin kripto të telefonave “Sky ECC”, policia në Bruksel ka mundur t’i japë një goditje të rëndë mafies shqiptare.

Mega-gjyq
Në një mega-gjyq vitin e kaluar, më shumë se njëqind të pandehur u dënuan me burgime të gjata.
Por kjo nuk i largoi rrjetet kriminale shqiptare. Të martën, policia thirri dyqind oficerë të tjerë për një operacion të gjerë kundër një bande shqiptare në Molenbeek.
Në të kaluarën, në Bruksel ka pasur larje hesapesh që nuk kishin të bënin me drogën. Por me gjakmarrje të vjetra mes familjeve shqiptare. Në vitin 2022, Erion Hasanbelliu u qëllua me shtatë plumba para hyrjes së një hoteli në “De Brouckèreplein”.
Të shtënat rezultuan të ishin hakmarrje për një sulm që vetë Hasanbelliu kishte kryer në Anversë ndaj një gangsteri të lartë shqiptar, i cili kishte vrarë babanë e tij në Shqipëri më shumë se njëzet vjet më parë.
Krahas rrjeteve shqiptare, tradicionalisht në Bruksel kanë qenë aktive të ashtuquajturat “bandes urbaines” (banda lokale), të cilat janë gjithmonë të lidhura me një lagje specifike.
“Matongé” njihet si zona e “Ujqërve të Zi”. Ata tregtojnë pothuajse të gjitha llojet e drogës atje. “Në të kaluarën, kishte kryesisht kanabis”, thotë Astrid De Schutter (Instituti Flaman i Paqes), i cili shkroi një raport mbi dhunën e drogës në Belgjikë.
“Por ndërkohë, oferta është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme”. Klientët e tyre janë të pastrehë dhe të rinj, por edhe punonjës të institucioneve evropiane.
Një shesh i mirë që menaxhohet me lehtësi, i jep fitime prej dhjetëra mijëra euro në ditë një bande.
Kur banda e Versajës nga Laken bëri hyrjen e saj, distrikti u bë skena e një mosmarrëveshjeje të dhunshme territoriale.
Në fund të vitit 2023, një vrasës me pagesë nxori një armë në Guldenvlieslaan për të eliminuar dikë – një sulm që ishte gjithashtu pjesë e asaj beteje territoriale.
“Por përveç objektivit të tij, autori goditi edhe disa viktima të pafajshme”, – thotë De Schutter. “Një grua suedeze u plagos, ndër të tjera”.

Vrasje të gabuara
Ajo që i shqetëson ekspertët, është se shumë sulme në Bruksel kryhen nga autorë të rinj – shpesh të mitur.
Atyre u jepet një armë nga bandat për të bërë një punë. Për shkak se qitësit e rinj janë shumë impulsivë dhe të pamatur, rreziku i “vrasjeve të gabuara” ose viktimave të pafajshme është shumë i lartë.
Këtë e tregojnë edhe sulmet e javëve të fundit. “Ka një familje që u zgjua sot në mëngjes me një plumb në dhomën e gjumit të fëmijës së tyre”, – tha prokurori Julien Moinil disa javë më parë.
Në fillim të këtij muaji, një refugjat ukrainas u qëllua në këmbë në stacionin e metrosë Clemenceau. Edhe familja e një 19-vjeçari që u vra fundjavën e shkuar i thotë “De Standaard” se ai nuk kishte asnjë lidhje me botën e drogës.
Në Anderlecht (lagje në Bruksel), vihet re qartë ndikimi i mafies franceze nga Marseja, sipas burimeve policore.
Kultura e dhunës me armë të rënda ka shpërthyer nga qyteti-port jugor francez. “Në Suedi, bandat e drogës përdorin adoleshentë të rinj për të kryer vrasje me porosi”, thotë një burim.
“Sepse të rinjtë nën 15 vjeç nuk mund të ndiqen penalisht atje. Nuk kemi arritur ende në atë pikë. Por kemi shumë frikë”..