Dita e Mësuesit dhe Epopeja e UÇK-së në skenën e një manifestimi

Diaspora

Dita e Mësuesit dhe Epopeja e UÇK-së në skenën e një manifestimi

Nga: Qerim Kryeziu Më: 10 mars 2025 Në ora: 11:15
Foto nga vendngjarja

7 Marsi -Dita e Mësuesit dhe 5, 6 e 7 Marsi-Epopeja e UCK-së, dy periudha historike brenda të cilave është formësuar dituria dhe qëndresa jonë kombëtare, u kujtuan e u nderuan me shumë dashuri nga nxënës, mësues e prindër shqiptarë të mërgatës në Suedi.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Manifestimi u realizua nga Qendra Kulturore Shqiptaro-Suedeze Okarina në bashkëveprim me mësuesit e gjuhës shqipe nga Landskrona, Helsingborgu, Åstorpi e Eslövi. Manifestimi u mbajt më 8 mars në Landskrona në ambientin e këndshëm të Folket Hus-it.

7 Marsi i vitit të largët 1887, agoi më të bardhen ditë të arsimit laik kombëtar, 138 vite më parë në qytetin e bukur të Korçës, Epopeja e UÇK-së mbërriti apogjeun e qëndresës për liri me sakrificën ekzemplare të Familjes Jashari për çlirimin e pakusht të Kosovës.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Dy ngjarjet u kujtuan dhe u vlerësuan si dy maja historike. E para me laps e me penë, e dyta me pushkë e me gjak siguruan ekzistencën tonë kombëtare.

Pjesa akademike

Për 7 Marsin- Ditën e Mësuesit foli Mr. Muhamet Muriqi, historian dhe mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Landskrones. Muriqi (përveçse mësues është edhe drejtues në Modersmålsenheten dhe Sveriges Lärarförbund në Landskrona) shpjegoi simboliken e 7 Marsit për historinë e shkollimit fillor shqiptar dhe pohoi ekzistencën e hershme, të para vitit 1887, të shumë shkollave e kolegjeve shqiptare, si njësi edukative të sistemeve arsimore kishtare brenda viseve shqiptare. Interesante ishin edhe të dhënat që shpalosi Muriqi për fillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Landskrona, për mësuesit e parë e numrin e nxënësve që ndoqën dikur e ndjekin sot mësimin e gjuhës shqipe në këtë komunë.

Për rëndësinë e epopesë së UÇK-së foli profesor Rexhep Jashari. Jashari, pikëtoi në përgjithësi datat e ngjarjet e mëdha që siguruan qëndresën tonë historike, në veçanti potencoi qëndresën dhesakrificën e fisit të tij-Familjes Jashari për çlirimin e Kosovës.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Madje, sakrificën e familjes Jashari për liri, e shpërfaqi edhe përmes epikës folklorike që populli e ka krijuar menjëherë pas flijimit të familjes Jashari për liri. Profesor Jashari është edhe autor i shumë veprave ma karakter gjuhësor, historik, monografik e folklorik. Disa prej tyre kanë për tematikë pikërisht luftën e kushërinjve të vet- Jashari në epopenë e Prekazit historik.

Pjesa artistike

Pjesa më e këndshme e manifestimit ishte pjesa artistike, ngase, ishin fëmijët tanë që e bënë të tillë. Si zogj shumëngjyrësh, si zogj shqiponjash ata defilonin ëmbëlsisht në skenë, duke na sjellë në mendje konsideratën e Kadaresë për fëmijët mërgimtarë shqiptarë, tek thoshte se ”fëmijët mërgimtarë janë të bukur- madje edhe më të bukur se vet fëmijët engjëj në afresket e famshme të Rafaelit”.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Këngët “Abetare” dhe “Pranë burimit” i kënduan Rinesa dhe Lejla. Lejla recitoi edhe vjershën e bukur të Xhevahir Spahiut “Shqiponja”. Një variant special të këngës “O, sa mirë me qenë shqiptar o he!” e kënduan nxënësit e Landskronas duke prezantuar emrat e vet dhe të vendlindjeve e prindërve të tyre: Trimi, Bleroni, Armini, Tara, Leotrimi. Këta fëmijë ishin nxënës të mësueseve Shukrie Jasharit e Luljeta Muriqit.

Dy motrat, tashmë të mirënjohura nga mërgimtarët në Suedi, Arnela dhe Elea Elshani recituan poezitë “Mësuesi im” (e Agim Vincës) dhe “Jam lab, more” ndërsa grupi i vajzave valltare nga Eslövi me koreograf Naser Sopjani interpretuan disa valle të bukura të derivuara nga këngët e Ilir Shaqirit. Këngët “Mora fjalë” dhe “Serish vjen marsi” i këndoi Hamdi Goxhuli. Dy pjesë skenike, më tematikë fillimet e luftës së UÇK-së në Drenicë, i luajtën amatorët shqiptarë të Landskronas, Islam Brahimi, Bashkim Mustafa e Astrit Krasniqi. Dy pjesët skenike me regji të Ardian Morinës zgjuan kureshtjen e nxënësve që ndjeheshin sikur takuan të gjallë Adem Jasharin, Ilaz Kodrën e Mujë Krasniqin.

Mirënjohjet e Drejtorisë së Arsimit

Drejtoria e Arsimit e qytetit të Landskronas, me drejtore zonjushën shqiptare Ervisa Dani, ndau tri mirënjohje publike për tre mësues shqiptarë që kanë punuar në këtë komunë, tashmë të pensionuar. Mirënjohjet i dorëzoi në emër të komunës zoti Fatmir Azemi- këshilltar komunal. U nderuan profesor Rexhep Jashari, mësues Shefik Shabani dhe mësuesi Ragip Prekadini.

Sponsor i manifestimit që nderoi datat historike të muajit mars ishte “Hekuri AB” me drejtues afaristin Ramadan Shabani.

Manifestimin e moderuan Gala dhe Qerim Kryeziu.
 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat