Kiev nën zjarre – Klitschko publikon pamjet e fundit nga shpërthimet/ Rusët i vendosin ultimatum Ukrainës për Mariupolin

Evropë

Kiev nën zjarre – Klitschko publikon pamjet e fundit nga shpërthimet/ Rusët i vendosin ultimatum Ukrainës për Mariupolin

Nga: Bota sot Më: 20 mars 2022 Në ora: 07:07 Përditësuar në ora: 10:40 më 20.03.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë/ Histori të tmerrshme: Gratë u përdhunuan për orë të tëra dhe më pas u vranë

Zëvendëskryeministrja për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik i Ukrainës ka folur këtë mëngjes për Sky News, përcjell “Bota sot

Olga Stefanishyna tha se me kalimin e ditëve situata në Ukrainë po bëhet "gjithnjë e më e rëndë".

Ajo pretendoi se Rusia ka kryer "pothuajse të gjitha krimet e mundshme të luftës që ka parë njerëzimi", duke shtuar se: "Numri i viktimave civile është shumë më i madh krahasuar me viktimat e forcave të armatosura të Ukrainës".

Zonja Stefanishyna tha se: "Është absolutisht thelbësore që askush të mos mësohet me luftën. Ne qëndrojmë, ne rezistojmë dhe do të shkojmë më të fortë".

"Ukraina do të rezistojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për t'u siguruar që në shekullin e 21-të të mos kryhet terror, asnjë gjenocid në këtë tokë."

Ajo tha se është "mjaft e qartë" se populli ukrainas nuk mund t'i përballojë i vetëm këto sulme, duke thënë: "Është vërtet e rëndësishme që të gjithë liderët politikë në mbarë botën... të qëndrojnë të bashkuar dhe të krijojnë një koalicion kundër luftës".

E pyetur nëse mendon se ajo që po ndodh është një gjenocid, ajo tha: "Unë absolutisht e besoj atë... Putin dhe Kremlini janë kriminelë lufte".

Gazetarja më pas e pyeti Stefanishyna për histori të tmerrshme rreth mizorive të vuajtura nga gratë në Ukrainë gjatë gjithë luftës.

Ajo tha se ka "histori të tmerrshme" për gratë "të cilat janë përdhunuar për orë të tëra dhe më pas janë vrarë".

“Çdo ushtar i vetëm që ka kryer këtë krim lufte do të mbajë përgjegjësi”.

Ukrainasve iu rritet interesimi për tatuazhe patriotike

Derisa lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të katërt, ukrainasit kanë shfaqur mesazhe patriotike në trupat e tyre dhe në billborde.

Në një lokal të tatuazhesh në Lviv, një numër i madh ukrainasve kanë shkuar për të bërë tatuazhe të flamujve të Ukrainës dhe simboleve të tjera shtetërore.

Një prej tyre është 18-vjeçarja, Olena Barlevych, e cila bëri një tatuazh stemën e Ukrainës me një avion ushtarak që simbolizonte luftën për të mbrojtur vendin e saj.

“Është një fazë shumë e rëndësishme për vendin tonë, e cila duhet të hyjë në histori, e cila duhet t’u kalohet brezave të ardhshëm”, tha Barlevych.

Natalia Tanchynets ia kishte dizajnuar vajzës në fjalë tatuazhin, por ajo pati një numër të madh të klientëve që kërkuan tatuazhe të tilla.

Tanchynets tha se 70 përqind e të ardhurave të saj nga tatuazhet me frymë patriotike i janë dhuruar ushtrisë ukrainase.

Ajo është krenare për tatuazhet e klientëve të saj, ato janë një kujtesë e trishtë e luftës tragjike që përfshiu vendin e saj dhe që rezultoi me vdekjen e shumë njerëzve.

Ndërsa, Yuri Kobryn punon në një kompani të printimit, kur Rusia e filloi luftën në Ukrainë, ai mendoi se puna e tij do të ishte e padobishme.

Por, atij i lindi ideja që me forma krijuese t’i mbështesë trupat e ushtrisë së tij. Në vend të reklamave, kompania e Kobryn tani printon mesazhe motivuese për vendin e tij dhe veçanërisht për ushtrinë.

Disa nga mesazhet përfshijnë ato fetare, duke i kërkuar Zotit ose Jezusit t’i mbrojë ushtarët.

“Djemtë e ushtrisë u befasuan, më pyetën nëse mund të bëja versione më të vogla që ata mund t’ua jepnin të tjerëve,” tha ai.

“Kështu që të mund t’i ndihmojmë ata në fitoren tonë”, shkruan AP.

Morgjet bjelloruse të mbushura me trupat e ushtarëve rusë, i pabesueshëm numri i tyre

Nuk ka vend në morgun në Marzir. Ai është i mbushur me trupat e ushtarëve rusë.

Në një spital në këtë qytet bjellorus, që gjendet 60 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën, korridoret dhe repartet janë të mbushura me tingujt e ushtarëve që rënkojnë nga plagët e tyre që kanë marrë në fushëbeteja.

Në stacionin kryesor të trenit, ushtarët rusë janë parë në video duke transportuar me barela – që me sa duket duke mbajtur ushtarakë të plagosur – nga një ambulancë ushtarake në një tren që operohet nga kompania shtetërore hekurudhore e Rusisë.

Dhe në Naroulia, një qytet edhe më pranë kufirit ukrainas, banorët kanë raportuar se një spital fushor ukrainas është ngritur në një ish-depo motorësh, dhe ushtarët e plagosur rusë po transportohen përmes ajrit nga Ukraina, po trajtohen për një kohë të shkurtër dhe më pas po dërgohen në Mazir dhe në kryeqytetin rajonal, Homel.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Gjenerali rus jep lajmin: Dhjetëra ‘mercenarë’ të huaj janë vrarë nga një sulm me raketa

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se ka vrarë dhjetëra "mercenarë" në një sulm me raketa në një qendër trajnimi në Ukrainën perëndimore, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve RIA.

Gjeneral Major Igor Konashenkov, një zëdhënës i ministrisë, tha se më shumë se 100 trupa ukrainase dhe "mercenarë të huaj" u vranë kur një "raketë me precizion të lartë" goditi një bazë ukrainase pranë Ovruch në Zhytomyr Oblast.

"Raketat e lëshuara nga ajri me precizion të lartë goditën qendrën e trajnimit për forcat e operacioneve speciale të forcave të armatosura ukrainase, ku ishin vendosur mercenarët e huaj që mbërritën në Ukrainë," tha Konashenkov, përcjell "Bota sot".

BBC nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin.

A është çmendur Putini!?/ Agjentët perëndimorë kërkojnë të ‘futen’ brenda kokës së tij – këto janë dyshimet e para

Nga: A.M.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin është bllokuar në një botë të mbyllur të krijuar prej tij, besojnë spiunët perëndimorë. Dhe kjo i shqetëson ata.

Për vite me radhë ata kanë kërkuar të futen në mendjen e zotit Putin, për të kuptuar më mirë qëllimet e tij, shkruan BBC, transmeton "Bota sot"

Me trupat ruse të bllokuara në Ukrainë, nevoja për ta bërë këtë është bërë edhe më e madhee, teksa agjentët përpiqen të kuptojnë se si do të reagojë ai nën këtë presion.

Të kuptuarit e gjendjes së tij shpirtërore do të jetë jetike për të shmangur përshkallëzimin e krizës në një territor edhe më të rrezikshëm.

Ka pasur spekulime se lideri rus ishte i sëmurë, por shumë analistë besojnë se ai në fakt është bërë i izoluar dhe i mbyllur për çdo pikëpamje alternative.

Lajmin e plotë lexoni KËTU.

Të paktën pesë të vrarë nga granatimet ruse në Harkiv

Autoritetet në qytetin lindor ukrainas të Harkivit thanë se të paktën pesë civilë janë vrarë në granatimet e fundit të forcave ruse.

Policia rajonale në Harkiv, që është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, tha se në mesin e viktimave nga sulmet me artileri ruse në orët e para të së dielës është edhe një djalë nëntëvjeçar.

Harkiv është rrethuar nga forcat ruse që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainsë më 24 shkurt. Ky qytet ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme ruse.

Banorët e Mariupolit po dërgohen në Rusi

Të shtunën, zyrtarët e qytetit të Mariupolit, që gjendet në jug të Ukrainës, e akuzuan Rusinë se ka dërguar me forcë mijëra banorë lokalë në Rusi, gjatë javës së fundit.

Një zyrtar, Pyotr Andryuschenko, i ka thënë New York Times se midis 4,000 dhe 4,500 banorë janë dërguar në Taganrog, qytet në rajonin Rostov, që gjendet në kufirin juglindor të Ukrainës. Ai ka shtuar se ata janë dërguar në Rusi pa pasaporta.

Një ukrainas i ka thënë gazetës amerikane se ai ka qenë në kontakt me tri familje që janë zhvendosur me forcë.

“Tani rusët po shkojnë nëpër bodrume, dhe nëse ka ende banorë, po i dërgojnë me forcë në Taganrog”, tha Eduard Zarubin, një mjek që është larguar nga qyteti më herët gjatë kësaj jave.

Rusia nuk e ka folur publikisht për këtë çështje, por të premten, Ministria e Mbrojtjes pretendoi se mijëra ukrainas kanë shprehur dëshirën “të ikin në Rusi” dhe Qeveria po i ndihmon ata.

Në Mariupol aktualisht po zhvillohen luftime të ashpra ndërmjet forcave ukrainase dhe ruse. Ky qytet është granatuar vazhdimisht në dy javët e fundit dhe zyrtarët lokalë kanë thënë se 2,400 persona kanë vdekur.

Banorët e këtij qyteti nuk kanë energji, gaz dhe ujë, dhe rezervat ushqimore po iu harxhohen. Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po ndalon konvojet me ndihmë humanitare që po nisen drejt këtij qyteti.

Momenti kur artileria ukrainase hedh në erë rusët

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka publikuar pamje të reja nga përballja me ushtrinë ruse në Ukrainë.

Në pamjet e reja, të publikuara në Facebook, shihet se si ukrainasit shkatërrojnë brendësinë ruse, përcjell Bota sot.

"Artileria ukrainase shkatërron në mënyrë flagrante brendësinë ruse.

Së bashku do të fitojmë!

#stoprusia", shkruhet në postimin e tyre.

Pse Mariupoli është i rëndësishëm për Rusinë?

Të shtunën, autoritetet raportuan se ushtarët rusë kanë depërtuar thellë në qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe ka pasur luftime në rrugët e këtij qyteti. Ndërkaq, të dielën, zyrtarët ukrainas thanë se një shkollë, që po strehonte 400 persona, është bombarduar nga Rusia.

Më poshtë mund të mësoni pse Rusia e konsideron të rëndësishëm këtë qytet-port në jug të Ukrainës?

Nëse Mariupoli bie nën kontrollin e trupave ruse, atëherë Rusia do të kishte nën kontroll një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe rajoneve lindore ukrainase Donjeck dhe Luhansk, pjesë të së cilave i kontrollojnë separatistët e mbështetur nga Rusia.

Duke e lidhur Krimenë me Rusinë përmes rrugës tokësore që kalon nëpër këto rajone separatiste, kjo do t’ia bënte më të lehtë Rusisë që të lëvizte mallra, por edhe lëvizja e njerëzve do të ishte më e lehtë nga Krimea. Rusia ka dashur që ta arrijë këtë që nga viti 2014, kur konflikti në lindje të Ukrainës ka filluar.

Aktualisht, Gadishulli ukrainas i Krimesë – që është i aneksuar nga Moska që nga viti 2014 – lidhet me Rusinë përmes një ure të vetme, që është ndërtuar pas aneksimit të Gadishullit.

Rusia thotë se sërish e ka sulmuar Ukrainën me raketa hipersonike

Rusia tha të dielën se sërish ka përdorur raketat e reja hipersonike në Ukrainë.

Sipas zyrtarëve rusë, ata kanë shkatërruar një depo karburantesh në jug të Ukrainës.

“Sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Të shtunën, më 19 mars, Rusia për herë të parë e pranoi se ka përdorur raketa hipersonike gjatë një sulmi në perëndim të Ukrainës. Përdorimi i këtyre armëve më vonë u konfirmua edhe nga autoritetet ukrainase.

Ushtria ruse tha të shtunën se sistemi raketor Kinzhal është i aftë që të godas caqe në një distancë prej më shumë se 2,000 kilometrash dhe mund të shmangë sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Këto lloj raketash fluturojnë shumë lartë në atmosferë me pesë herë shpejtësinë e zërit.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Në kundërpërgjigje, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra kundër Moskës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat