Nuk e dënoi agresionin e Rusisë, Lavrovi shkon për vizitë në këtë shtet
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takua me homologun e tij në Indi.
Pas takimit të tyre në Delhi, Lavrov lavdëroi Indinë që nuk e vlerësoi konfliktin në Ukrainë në “mënyrë të njëanshme”.
India nuk i është bashkuar dënimit të gjerë të pushtimit rus të Ukrainës dhe është blerësi kryesor i armëve ruse.
Por, ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, “theksoi rëndësinë e përfundimit të dhunës dhe përfundimit të armiqësive”.
Në ndërtimin e lidhjeve me Rusinë, India mund të jetë duke kërkuar mbështetje kundër Kinës, me të cilën ishte përfshirë në konfliktin vdekjeprurës kufitar të vitit 2020.
Gjithashtu, ajo që i ndërlikon gjërat është fakti se edhe Kina ka pushuar së dënuari veprimet ruse në Ukrainë.
Cilat janë më të rejat nga Ukraina?
Sot shënohet dita e 37-të e luftës në Ukrainë. Këto janë informatat më të reja:
-Rusia thotë se nuk do të ndërpresë ende furnizimin me gaz në Evropë
-Rusia pretendon se zjarri në një depo karburanti në Belgorod filloi pasi dy helikopterë ushtarakë ukrainas goditën këtë lokacion
-Ekipet e shpëtimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq janë “duke lëvizur” drejt Mariupolit për të ndihmuar operacionin e kalimit të sigurt
-Luftimet shpërthyen pranë kryeqytetit ukrainas Kiev, sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko
-Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se ende nuk është paraqitur “asnjë plan i miratuar” pas bisedimeve të paqes me Ukrainën
-Negociatat kanë vazhduar sot në formën “on line”
Rusia ka bombarduar repartin onkologjik të spitalit Çernihiv
Kryebashkiaku i Çernihivit, Vladislav Atroshenko akuzoi Rusinë për bombardimin e repartit onkologjik të një spitali në qytetin verior të Ukrainës, vetëm disa ditë pasi Rusia premtoi të zvogëloj “në mënyrë drastike” sulmin e saj ushtarak në Kiev dhe Çernihiv.
Në një bisedë me CNN-në ai theksoi:
“Disa granata goditën drejtpërdrejt spitalin rajonal dhe një nga godinat e spitalit, përkatësisht, njësia e onkologjisë u shkatërrua plotësisht. Tre persona kanë marrë plagë të rënda”.
Atroshenko tha gjithashtu se nuk ka ujë dhe energji elektrike dhe se qyteti mund të mbetet pa ushqim dhe ilaçe brenda një jave.
“Aktualisht po kalojmë një katastrofë të plotë humanitare”, shtoi ai.
Zelensky bisedoi me Macronin
Kryeministri ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në rrjetet sociale se ka biseduar me homologun e tij francez Emmanuel Macron.
Gjatë bisedimeve, të dy liderët diskutuan për procesin e negociatave, rëndësinë e garancive të sigurisë dhe sigurimin e korridoreve humanitare nga qyteti port i Mariupolit, tha Zelensku.
Biseda ndërmjet Zelenskyt dhe Macronit vjen pasi bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë rifillojnë sot, vetëm disa ditë pasi të dyja palët u takuan në Turqi, për bisedime ballë për ballë.
Më herët gjatë ditës, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke folur në një konferencë shtypi në kryeqytetin indian, Nju Delhi, tha se ende nuk janë paraqitur “planet e miratuara” pas bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë.
Kreu i IAEA: Do të drejtoj një mision në Çernobil, sa më shpejt të jetë e mundur
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi, njoftoi në Twtter se do të drejtonte një mision në termocentralin bërthamor të Çernobilit.
“Sa më shpejt të jetë e mundur, unë do të drejtoj një mision të ndihmës dhe mbështetjes nga IAEA në termocentralin bërthamor të Çernobilit.
Do të jetë misioni i parë, në një varg misionesh të tilla të sigurisë bërthamore në Ukrainë”, ka thënë Grossi.
Rusia thotë se nuk do të ndërpresë ende furnizimin me gaz në Evropë
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të enjten një urdhër, duke thënë se vendet e huaja “armiqësore” duhet të paguajnë për gazin në rubla ose rrezikojnë që tu ndërpritet furnizimi.
Duke folur me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për rezervat evropiane.
“A do të thotë kjo se nëse nuk ka konfirmim në rubla, dërgimi i gazit do të ndërpritet nga 1 prilli? Jo, nuk do të thotë dhe nuk buron nga rregullorja”.
Rusia furnizon Bashkimin Evropian (BE) me rreth 40 për qind të importeve të gazit dhe 30 për qind të naftës, të cilat kryesisht paguhen në euro dhe dollarë.
Pavarësisht bisedimeve të paqes, ukrainasit përgatiten për një luftë të gjatë
Në Ukrainën perëndimore, banorët thonë se pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, ata janë të përgatitur për një luftë të gjatë. Ata thonë se nuk do të pranojnë një marrëveshje paqeje që i jep Rusisë territore, madje edhe nëse udhëheqësit e tyre mund të arrijnë përfundimisht një marrëveshje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, sjell të rejat e fundit nga qytetet Ternopil dhe Lviv në Ukrainë.
Në Ternopil, një qytet në perëndim të Ukrainës i mbushur me familje të zhvendosura, punonjësit e ndihmave po përgatisin ushqime, rroba dhe gjëra të tjera të nevojshme për viktimat lokale të luftës dhe për t'i dërguar në lindje, ku betejat ende vazhdojnë pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme të paqes.
Shumë prej tyre thonë se nuk duan një marrëveshje paqeje që do t’i jepte territore Rusisë, ndaj ata po përgatiten që lufta të zgjasë me muaj apo edhe më gjatë.
“Ne nuk duam që këto bisedime paqeje të përfundojnë në një marrëveshje që do të ishte e keqe për Ukrainën. Ne duam të çlirojmë tokën tonë dhe për këtë jemi gati të luftojmë deri në fund”, thotë Ivanna Hoshii, banore e qytetit Ternopil./VOA
BE i kërkon Kinës të mos ndihmojë luftën e Rusisë në Ukrainë
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Kinës po takohen sot për herë të parë pas dy vitesh. Brukseli ka ushtruar trysni ndaj Pekinit për garanci se nuk do ta furnizojë Rusinë me armë dhe se nuk do të ndihmojë Moskën të anashkalojë sanksionet perëndimore të vendosura lidhur me sulmin ndaj Ukrainës.
Me një gjuhë jashtëzakonisht të hapur, zyrtarët e BE-së thanë se çdo ndihmë dhënë Rusisë do të dëmtonte reputacionin ndërkombëtar të Kinës dhe do të rrezikonte marrëdhëniet me partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian Charles Michel, së bashku me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, filluan bisedimet virtuale me kryeministrin kinez Li Keqiang. Ata pritet të flisin më vonë të premten me Presidentin Xi Jinping.
Një zyrtar i BE-së tha se qëndrimi i Kinës ndaj Rusisë ishte një çështje së cilës është shumë e vështirë t'i përgjigjesh. Një tjetër zyrar vuri në dukje se mbi një e katërta e tregtisë globale të Kinës vitin e kaluar ishte me bllokun dhe Shtetet e Bashkuara, kundrejt vetëm 2.4% me Rusinë.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi përsëriti thirrjen për bisedime paqeje këtë javë, duke shtuar se u duhet dhënë përgjigje shqetësimeve legjitime të të gjitha palëve./VOA
Ekspertët paralajmërojnë, Rusia nuk është gati për armëpushim me Ukrainën
Ekspertët thonë se Rusia po dërgon sinjale të paqarta, duke vazhduar të godasë qytetet ukrainase në mes të bisedimeve të paqes. Zyrtarët ukrainas thonë se të dy delegacionet diskutuan në Stamboll kushtet e një armëpushimi të mundshëm, së bashku me garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën në këmbim të zotimit të Kievit për një status neutral.
Forcat ushtarake ruse po vazhdojnë të bombardojnë Kharkivin, Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës, pavarësisht premtimit të bërë nga Moska për të reduktuar sulmet në kryeqytet.
Të dy delegacionet përmendën hapa modeste në bisedimet e paqes në Stamboll, megjithëse nuk ka pasur ndonjë përparim të rëndësishëm.
Ministri i Jashtëm i Turqisë përshëndeti përparimin në bisedime. Ekspertët thonë se Turqia dëshiron me ngut që agresioni 6-javor rus i Ukrainës të përfundojë, sepse pasojat për ekonominë e saj janë të mëdha. /VOA
Të paktën 53 vende kulturore janë dëmtuar dhe disa janë shkatërruar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Ndër ndërtesat e dëmtuara janë 29 kisha, 16 ndërtesa historike, 4 muze dhe 4 monumente, tha zëvendësdrejtori i përgjithshëm i UNESCO-s për Kulturën, Ernesto Ottone Ramirez.
Kharkiv është një nga rajonet e Ukrainës më të prekura në këtë drejtim./M.L.