​Vuçiq paralajmëron arrestime

Evropë

​Vuçiq paralajmëron arrestime

Më: 14 mars 2025 Në ora: 19:41
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua publikut lidhur me paralajmërimin e protestës së madhe të nesërme në Beograd të organizuar nga studentët.

Vuçiq më parë tha se opozita dhe protestuesit po diskutojnë planet për të provokuar një luftë civile dhe për të marrë pushtetin në Serbi.

Ai ka pohuar vazhdimisht se tubimi do të jetë i dhunshëm, se shërbimet e inteligjencës kanë informacione për incidente të planifikuara dhe se shteti do të parandalojë një tentativë "revolucioni me ngjyra".

Vuçiq fillimisht tha se e gjithë Serbia është tronditur nga tragjedia e Novi Sadit, por se menjëherë pas kësaj “filloi rrënimi i dhunshëm i institucioneve të Serbisë.”

“Protestuesit vendosën të përcaktojnë se kush mund të hajë dhe kush jo”, tha Vuçiq, i cili shtoi se policia dhe xhandarmëria u sulmuan në mënyrë frikacake.

Vuçiq tha se nuk do të ketë qeveri kalimtare “në të cilën do të përfshihen më të këqijtë e këtij vendi”.

"Tubimi i nesërm nuk është i regjistruar dhe është i paligjshëm. Ne do të sigurojmë që tubimi të jetë i sigurt dhe paqësor. Organizatorët do të mbajnë të gjithë përgjegjësinë dhe ne do të bëjmë gjithçka që të jetë paqësore. Ata që kërcënojnë paqen do të arrestohen", tha ai.

“Ju që i shkatërroni serbët si popull, ju që mendoni se Kosova është e pavarur, ju që mendoni se serbët janë një popull gjenocidal”, shtoi Vuçiq duke iu referuar organizatorëve të protestës.

Protestat në Serbi kanë nisur nga nëntori i vitit të kaluar, kur 15 persona u vranë nga shembja e një tende në stacionin e trenit në Novi Sad. Studentët dhe qytetarët kërkojnë llogari nga autoritetet serbe për atë që ata thonë se është korrupsioni i përhapur dhe lidhja mes krimit dhe shtetit që çoi në tragjedi.

Protesta “15 me 15” në Beograd, e thirrur nga studentët për bllokadë, do të mbahet më 15 mars. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat