Pierre Emerick-Aubameyang ka qenë vendimtar në fitoren e marrë nga Barcelona kundër Real Sociedad-it në ndeshjen e kampionatit të luajtur të enjten në mbrëmje.
Ish-sulmuesi i Arsenal-it ka shënuar golin vendimtar për katalanasit, duke konfirmuar kështu rendimentin shumë të mirë me fanellën blaugrana.
Janë plot 9 golat e shënuar në 11 ndeshje e fundit të luajtura nga Aubameyang në La Liga me skuadrën e re, një rekord që e lejon të kapë tre ish-yje të klubit spanjoll.
Siç ka bërë të ditur Squawka, në fakt, vetëm tre lojtarë të tjerë kanë patur një ecuri të tillë para gabonezit në ndeshjet e para të luajtura me Barcelona-n.
I fundit ka qenë Zlatan Ibrahimovic në 2010-ën. Para suedezit kanë qenë dy brazilianët: Romario, në vitin 1993, dhe Ronaldo, Fenomeni, në vitin 1996.
Një rezultat me të vërtetë i rëndësishëm për futbollistin, i cili nuk po kalonte një moment shumë të mirë tek Arsenal-i para transferimi në Katalonjë.