Kur Paul Gascoigne bën deklarata, fjalët e tij nuk kalojnë kurrë pa u vënë re. Ka ndodhur edhe në studiot e “Sky Sports”, ku “Gazza” ka marrë pjesë si i ftuar për të komentuar, me të pranishmit në studio, listën e 26 lojtarëve të thirrur nga trajneri i Anglisë, Gareth Southgate për Botërorin e Katarit.
Ish-sulmuesi magjepsi studion me një sërë anekdotash që lidhen me edicionet e Kupës së Botës, që e panë atë si protagonist brenda dhe veçanërisht jashtë fushës. Kujtimet e Gascoigne janë fokusuar të gjitha te netët e famshme magjike të “Italia ’90”.
Rrugëtimi i kombëtares së “Tre Luanëve” në turneun italian u ndal në gjysmëfinale ndaj Gjermanisë Perëndimore, e cila më e pas fitoi atë edicion duke mposhtur në finale Argjentinën e Maradonës. Sidoqoftë, “Gazza” shkon përtej zhgënjimit të atij eliminimi dhe tregon, me brengën e theksuar, momentet e lumtura të përjetuara në atë “verë botërore”:
“Për mua të luaja futboll edhe në verë ishte madhështore. E kam dashur Botërorin, edhe nëse herë pas here kam pasur probleme. Në Itali më kapën duke pirë një “piña colada” në plazh. Sir Bobby Robson u çmend kur e mori vesh. Më kujtohet se përveç qortimit dhe konfiskimit të pijes sime alkoolike, pati edhe aspektet pozitive ajo eksperiencë.
Ishte gjithçka intensive, ndjej dashuri të madhe për Botërorin”, – pranon “Gazza” me një nuancë nostalgjie. Më pas, 55-vjeçari e shtoi dozën me ironinë e zakonshme dhe të pagabueshme: “Gjithsesi, sinqerisht, edhe Robson ishte i inatosur, sepse u përpoqa ta kaloja koktejin si ‘milkshake’. Nuk ia dola”.