Andrea Agnelli ishte president i Juventusit nga viti 2010 deri më 2023, duke e udhëhequr klubin bardhezi drejt fitimit të 19 trofeve (9 ‘scudetti’ radhazi, një rekord në historinë e Serie A; 5 Kupa të Italisë dhe 5 Superkupa të Italisë), përpara se të largohej nga pozicioni i tij nëntorin e kaluar së bashku me gjithë bordin drejtues. Ata dhanë dorëheqjen pas procedurave hetimore të drejtësisë sportive për keqadministrimin e klubit.
Djali i Umberto Agnelli dhe nipi i Gianni, pra, ishte presidenti më i suksesshëm, nëse marrim parasysh shifrat, edhe nëse Liga e Kampionëve mungonte, në historinë e klubit torinez, por ai nuk mundi të bënte asgjë për të mos u dënuar nga afera e fitimeve kapitale dhe manovrave e pagave, të cilat sipas akuzave të bëra ndaj Juventusit kishin për qëllim ndryshimin e bilanceve dhe për rrjedhojë rregullsinë e garës sportive.
Refuzimi i apelit të tij kundër dënimit të Gjykatës Federale të Apelit, e cila më 20 janar e kishte skualifikuar me dy vite nga çdo aktivitet sportiv, i ngjan një “guri varri” në historinë e tij te Juventusi. “Andrea Agnelli, pezullim i përkohshëm prej 24 muajsh për të kryer aktivitete brenda FIGC-së, me kërkesë për zgjatje dënimi brenda rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s”, – lexohej në dispozitën e CAF, e konfirmuar e plotë nga Bordi i Garancive të CONI, i cili nga njëra zhbëri dënimin me zbritjen e 15 pikëve të Juventusit, si për të kërkuar një vendim të ri nga vetë CAF, nga ana tjetër përsëriti, pa prekur asgjë, dënimet për ish-drejtuesit e lartë të klubit bardhezi.
Përveç Agnellit, larg futbollit do të detyrohen të qëndrojnë edhe ish-drejtori sportiv Fabio Paratici (30 muaj), menaxheri aktual i zonës teknike Federico Cherubini (16 muaj) dhe ish-drejtori Maurizio Arrivabene (24 muaj). Edhe për ta, pengesat për të mbuluar çdo rol shtrihen ndërkombëtarisht.
Vërtetimi i këtyre dënimeve do të thotë se edhe në shkallën e fundit të gjykimit u pranua se drejtuesit e lartë të Juventusit kishin shkelur nenin 4 të Kodit të Drejtësisë Sportive të Federatës Italiane të Futbollit, i cili imponon “respektimin e parimeve të besnikërisë, korrektësi dhe ndershmëri në çdo marrëdhënie, në çdo rast që i atribuohet aktivitetit sportiv”, duke ruajtur në thelb sistemin akuzues që kishte çuar në penalizimin e Juventusit.
Ngjarjet që tani i përkasin të shkuarës së Agnellit, i cili, duke marrë parasysh dënimin e CONI, mbylli një kapitull të jetës së tij dhe po përgatitet të hapë një tjetër. Sipas “Gazzetta dello Sport”, ish-presidenti i Juventusit do të largohet nga Torino, por edhe nga Italia për jashtë vendit. Një pikë kthese në jetën e tij, që do të nisë nga jeta private.
Para verës, Agnelli do të martohet me ish-modelen turke Deniz Akalin, me të cilën ka dy vajza (dhe që më parë ishte e martuar me menaxherin aktual të zonës sportive të Juventusit, Francesco Calvo). Pastaj, me siguri do të shpërngulet bashkë me familjen në Holandë.
“Agnelli BV” është me seli në Amsterdam, aksioner i të cilit është Andrea, siç është kushëriri i tij John Elkann dhe që mban shumicën e aksioneve në “Exor”, shtëpinë e sigurt të Agnellit.
Përveç kujdesit për biznesin familjar, ish-numri një i Juventusit do të vazhdojë të punojë në projektin e Superligës Evropiane së bashku (ose sipas dikujt brenda) me “A22 Sports”, kompania që ende ndjek dizajnin e ndarjes nga UEFA.
Dënimi i pritshëm në qershor nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, në lidhje me monopolin e entitetit të Ceferinit të pohuar nga Juve, Real Madrid dhe Barcelona, do të jetë baza vendimtare për të ditur nëse Superliga do të ketë të ardhme (sinjalet janë të vendosura në drejtim të kundërt).