Skuadra e Interit nuk dorëzohet për Xhianluka Skamaka-n. Sipas të përditshmes “Corriere dello Sport”, klubi zikaltër ka gati një ofertë prej 30 mln eurosh për sulmuesin e Uest Hem-it. Më saktë 25 mln euro dhe 5 të tjera janë në formën e bonuseve për ish-sulmuesin e Sasuolos.
Klubi londinez, më herët kishte refuzuar një ofertë prej 25 mln euro për 24-vjeçarin dhe tashmë dyshja Marotta-Ausilio nuk dëshiron të humbasë më kohë.
Duke i vendosur në tryezë Uest Ham-it një ofertë që mbërrin në 30 mln euro. Drejtuesit e Interit dëshirojnë që ta mbyllin sa më shpejt operacionin në mënyrë që sulmuesi shtatlartë të vihet nën urdhrat e trajnerit Simone Inzagi.
Pas largimeve të Xhekos dhe Lukakus, zikaltrit kanë nevojë për një sulmues dhe Skamaka duket të jetë alternativa e duhur. Futbollisti nga Roma është pjesë e “çekanëve” që nga qershori i vitit 2022, kur u ble nga Sasuolo për 36 mln euro.
Në një vit në ishull, sulmuesi është aktivizuar në 16 ndeshje duke shënuar dhe 3 gola, me ekipin që e mbylli sezonin në Premier Ligë, në vendin e 14, teksa fitoi Ligën e Konferencës.