Na ishte njëherë një mesfushor dominues, prototipi i futbollistit modern në atë rol, ku forcën fizike e gërshetonte me teknikën hyjnore.
Emri i tij ishte Pol Pogba! Në aventurën e tij të parë si juventin, ai adoleshent, ai talent i artë, mësoi Italinë dhe Europën me goditje mahnitëse, me lojëra prej fenomeni të vërtetë, por papritur, nëse e ardhmja dukej se mund të ishte edhe më e flaktë për atë, magjia u shua. Ai Pogba që u pa për 4 vitet e para në Torino rreshti së ekzistuari në fushën e lojës dhe kjo si rrjedhojë e të qenit viktimë e një fiziku që papritur u zbulua shumë i brishtë.
Dëmtimet pasuan njëritjetrin papushim, aq sa karriera e 30-vjeçarit deri tani numëron mbi 1000 ditë jashtë fushave dhe gati 200 ndeshje të humbura mes klubeve dhe kombëtares. Pjesa më e madhe e tyre datojnë nga viti 2019 e në vazhdim, pasi ai la Juventusin, por mesa duket edhe rikthimi nuk ka qenë aspak i bukur.
Nëse sezonin e kaluar u pa vetëm 161 minuta në fushën e lojës, edhe ky i riu nisi në dukje me optimizëm, pas 24 minutave pozitive të luajtura kundër Bolonjës, pavarësisht barazimit 1-1, por edhe ndaj Empolit në 28 minuta i dha shkëndijat e duhura, madje shënoi edhe një gol që ia anuluan, por në fund të ndeshjes duhet të dilte sërish duke çaluar.
Kalvari i dëmtimeve vazhdon, më konkretisht për francezin dhe Juventusin duket si një mallkim pafund, për të mos pasur në formën optimale numrin 10 të skuadrës edhe pse analizat e djeshme të detajuara mjekësore konfirmuar se të paktën për 30- vjeçarin këtë herë nuk bëhet fjalë për një tërheqje apo një dëmtim të rëndë.
Ajo që Pol Pogba ka ndierë është vetëm një mbingarkesë muskulore gjysmëmembranore në kofshën e djathtë.
Për momentin nuk janë dhënë kohë të qartë për qëndrimin jashtë fushe, duke qenë se ky problem do të vëzhgohet ditë pas dite.