Gola dhe spektakël në sfidën PSG - Monaco

Futboll

Gola dhe spektakël në sfidën PSG - Monaco

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 23:09
PSG

Paris Saint-Germain bind në përballjen ndaj Monaco, me të dyja skuadrat që dhuruan spektakël golash.

Takimi hapës i javës së 13-të të Ligue 1 u mbyll me rezultatin 5:2, ndërsa kjo ndeshje rezultoi shumë e luftuar.

Sfida mund të ishte zhbllokuar që në minutën e 14’ me Vanderson, por goli i miqve u anulua për pozicion të parregullt, pas verifikimit në VAR.

Megjithatë vetëm katër minuta më pas, portierit Kohn i shpëton topi nga duart dhe Ramos e shfrytëzon mirë mundësinë, duke realizuar dhe duke u dhënë avantazhin vendasve.

Ndërkohë, në minutën e 22’ pas një gafe nga Donnarumma, Minamino gjen rrugën drejt rrjetës dhe barazon.

Megjithatë, Dembele fiton penallti, e cila ekzekutohet nga Mbappe në minutën e 39’ duke rikthyer PSG-në në avantazh dhe duke bërë që fraksioni hapës të mbyllej me rezultatin 2-1.

Ndërsa në minutën e 70’ Fabian Ruiz jep një super pasim dhe Dembele befason me një goditje në dukje të pamundur, duke gjetur golin e parë me PSG-në, njëkohësisht duke thelluar avantazhin e skuadrës së tij.

Parizienët nuk u ndalë me aq, pasi në minutën e 72’ Vitinha realizoi golin e katërt për skuadrën e tij.

Monaco provoi të reagonte dhe në minutën e 75’ Balogun realizoi golin e dytë për ekipin e tij.

Gjithçka u vulos në minutën 90+6’, me Kolo Muani që shënoi golin e pestë për Paris Saint-Germain.

5:2 dhe PSG vazhdon të kryesojë Ligue 1 e sigurt, me 30 pikë, teksa Monaco qëndron në vend të tretë me 24 pikë, duke bërë një hap fals drejt rrugës së kreut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat