Marshimi i Gjermanisë drejt Euro 2024 po vazhdon mes mijëra dyshimeve.
Dy humbjet e fundit në ndeshjet miqësore kundër Turqisë dhe Austrisë i bashkohen një serie të gjatë rezultatesh zhgënjyese dhe paraqitjesh jo bindëse në të cilat Mannschaft ka qenë protagoniste muajt e fundit (gjashtë humbje në 11 ndeshjet miqësore në 2023) dhe që kanë sjellë, ndër të tjera, shkarkimin e trajnerit Hansi Flick, i zëvendësuar nga Julian Nagelsmann.
Megjithatë, situata duket se nuk ka ndryshuar as nën drejtimin e ish-trajnerit të Leipzig dhe Bayern Munich, deri në atë pikë sa një ish-i madh i historisë së Gjermanisë si Berti Vogts nuk i ka kursyer kritikat e rënda për trajnerin e ri, duke kërkuar një tjetër ndryshim në stol.
I intervistuar nga Sport Bild Vogts beson se nevojitet një trajner ekspert për të dalë mirë në Euro 2024: “Për të provuar të përjetojmë një kampionat europian si protagonistë, trajneri duhet të jetë Rudi Voller dhe Nagelsmann duhet të jetë zëvendësi i tij”.
Rudi Völler aktualisht mban postin e drejtorit sportiv të kombëtares gjermane, por ka një të kaluar si trajner në Kupën e Botës 2002, e cila përfundoi me humbjen në finale kundër Brazilit, dhe ai drejtoi Gjermaninë në ndeshjen fitimtare miqësore shtatorin e kaluar kundër Francës para ardhjes së Nagelsmann në vend të Flick:
“Ndeshja kundër Francës nën drejtimin e Rudit ishte ndeshja jonë më e mirë prej vitesh ,– tha Vogts. – Voller ka shumë njohuri futbolli dhe shumë përvojë, të cilën Nagelsmann nuk mund ta ketë për shkak të moshës së tij të re”.
Vogts më në fund tha fjalën e tij për rolin ideal të Joshua Kimmich: “Kimmich ka cilësi të shkëlqyera dhe duhet të luajë në mesfushë, ku mund të ketë më shumë ndikim sesa si mbrojtës i krahut”.