Pas përvojave në Portugali, Ukrainë, Itali dhe Francë, Paulo Fonseca mund të ketë një destinacion të ri sezonin e ardhshëm.
Sipas “inews”, trajneri portugez i Lille është në krye të listës për të pasuar David Moyes si trajner i West Hamit.
I njëjti burim thekson se interesimi i klubit anglez nuk është i freskët. Hammers kishin kontaktuar me portugezin verën e kaluar, por në fund vendosën të vijonin Moyes për një sezon tjetër.
Nëse konfirmohet ky lajm, do të ishte aventura e parë e trajnerit portugez në Angli, ku herët për të kishte shfaqur interes Tottenhami, por klubi londinez në atë kohë zgjodhi një tjetër portugez: Nuno Espírito Santo.
Hammers ende nuk kanë marrë një vendim në lidhje me trajnerin aktual David Moyes. Sado që stili i lojës së skuadrës kritikohet nga tifozët, pritet që ditët e fundit të Premier League dhe rezultatet në Europa League të jenë vendimtare në përcaktimin e vazhdimësisë së trajnerit skocez.