Vinicius Zhunior ishte ai që i dha Champions-in numër 14 Realit në finalen e Parisit në vitin 2022 kundër Liverpulit.
Braziliani do të jetë sërish në fushë në një tjetër finale të madhe në Champions, këtë herë në Londër, të shtunën, kundër Dortmundit. Një tjetër finale, ku ai është shprehur se dëshiron të jetë protagonist. Këtë gjë ai e ka bërë gjatë një interviste për mediat e UEFAs.
“Kjo është një ndeshje unike e për rrjedhojë nuk lejohet asnjë gabim.
Duhet ta nisin me marsh të pestë – deklaroi braziliani – i cili numëron 5 gola dhe 5 pasime për gol në këtë edicion të kompeticionit – Kjo është një javë shumë e rëndësishme për ne dhe shpresojmë që të kthehemi në Madrid me një tjetër trofe. Unë shpresoj të shënoj, por gjëja më e rëndësishme është që të fitojmë Ligën e Kampioneve.
Ky ka qenë një sezon mjaft i mirë për ne, kemi humbur vetëm dy takime, por nëse fitojmë dhe Ligën e Kampioneve do të ishte mbyllja ideale. Jemi shumë të motivuar dhe duam të fitojmë sërish”.
Dy humbjeve të Realit të cilave u referohet Vinicius janë ato kundër Atletikos së Madridit, në fazën e parë në La Liga shtatorin e kaluar dhe në Kupën e Mbretit në janar të këtij viti. Duke qëndruar te finalja e Ligës së Kampioneve, Vinicius gjithsesi s’ka dashur të nënvlerësojë Dortmundin e Edin Terziç, duke vënë në dukje shpirtin luftarak të gjermanëve.
“Lojtarët gjermanë janë gjithmonë të vështirë në markim dhe ata do të jenë shumë pranë meje – parashikoi ai – Por do të shohim se çfarë do të përgatisë Ançeloti për të bërë më të mirën. Unë kurrë nuk kam pasur frikë nga humbja e topit dhe kjo është ajo që më ka çuar deri këtu. Jo çdo lojtar mund ta veshë këtë fanellë apo të stërvitet me këto legjenda.
Uniteti i këtij ekipi është ajo që na bën të lumtur”. Pikërisht te Ançeloti, Vinicius sheh njeriun e duhur që e ka transformuar duke e bërë një lojtar më të mirë. “Ai (Ançeloti) ka bërë gjithçka për mua, më ka dhënë gjithmonë besim, më ka qortuar kur kam pasur nevojë dhe ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë.
Ai kujdeset për mua po aq sa unë kujdesem për të – tha anësori brazilian – Më ka ndryshuar mua si lojtar, jo në fushë, por në mënyrën time të të menduarit për stërvitjen dhe zhvillimin. Ai gjithmonë thotë se modestia është virtyti im më i madh, sepse gjithmonë dëgjoj të tjerët. Çdo ditë më mëson gjithnjë e më shumë brenda dhe jashtë fushës. Natyrisht që duhet të mendojmë për finalen e radhës dhe Ançeloti do ta gjejë formulën për të na çuar te suksesi”.