Franca, “tenis” me Lituaninë

Futboll

Franca, “tenis” me Lituaninë

Më: 17 korrik 2024 Në ora: 19:45
Pamje nga ndeshja

Franca e moshës deri në 19 vjeç në futboll për femra ka luajtur “tenis” me Lituaninë në finalet e Kampionatit Europian.

Në Kaunas, pikërisht në stadiumin “Darius&Girenas”, Franca ka shënuar gjashtë gola dhe ka marrë fitoren e dytë në grupin A.

Vajzat franceze kanë vuajtur për të gjetur golin, që në fakt ka ardhur në të 19’ me anë të Robilard. Madje e njëjta lojtare, e harruar krejtësisht nga mbrojtja lituaneze, do të shënonte dhe në të 30’.

E më pas do të firmoste tripletën e saj në të 40’ duke mbërritur në kuotën e katër golave në dy ndeshje.

Goli më i bukur i sfidës ka ardhur në fundin e pjesës së parë nga Kutel, e cila në një gjuajtje nga distanca prej rreth 20 metrash e dërgon topin në krahun e djathtë të Mikuckite.

Pjesa e dytë është me një ritëm të ulët. Por megjithatë Franca e ka gjetur golin e pestë në të 64’, atje ku Lushimba-Bilombi, pas tre tentativash me portierin Mikuckite, e ka dërguar topin në rrjetë. Në të 89’, Ben Kaled ka shndërruar në gol penalltinë e fituar nga Naolia Traore dhe 6-0. Ndërkohë në të njëjtin grup, Serbia ka barazuar 1-1 me Anglinë.

E në këtë mënyrë duket se Franca dhe Anglia janë kandidatet kryesore nga grupi A për të qenë në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç në futboll për femra, që përfundon më 27 korrik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat