Motta: Humbja nuk më shqetëson

Futboll

Motta: Humbja nuk më shqetëson

Më: 27 korrik 2024 Në ora: 19:17
Mottë

Aventura e Thiago Mottës në pankinën e Juventusit nisi me një humbje të pastër 3-0  në “Max Morlock Stadion” në Gjermani, përballë Nurenbergut vendas, që garon në Bundesligën e dytë gjermane dhe drejtohet nga ish-sulmuesi i njohur Miroslav Klose.

Megjithatë disfata nuk e shqetëson aspak italo-brazilianin, që pas ndeshjes u shpreh se ai dhe futbollistët duhet ta shohin këtë humbje në mënyrën e duhur, për t’u përmirësuar në heshtje dhe rritur nga dita në ditë.

“Duhet ta shohim në mënyrën e duhur këtë humbje. Sigurisht që duhet të vazhdojmë të përmirësohemi në heshtje nga dita në ditë, por në të njëjtën kohë, të luajmë me të njëjtin intensitet që pashë sot dhe që kam parë gjatë gjithë këtyre ditëve në stërvitje”, tha Motta.

Trajneri italo-brazilian i Juventusit nuk preferoi të veçojë emrat që i kanë pëlqyer më shumë, teksa vlerësoi si mjaft pozitiv angazhimin e futbollistëve në seancat stërvitore.

“Ka qenë shumë e rëndësishme të punojmë bashkë këto ditë dhe të mund të rritim edhe më shumë harmoninë.

Më pëlqyen të gjithë për shpirtin e garës që treguan në fushë dhe për angazhimin maksimal.

Sigurisht që kemi ende shumë detaje për të përmirësuar, por sapo kemi nisur punë dhe kemi kohë në dispozicion”, tha Motta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat