Reali i Madridit e ka nisur me një barazim sezonin në La Liga. të dielën në mbrëmje, kampionët e Spanjës janë ndalur nga Majorka, duke zemëruar jo pak trajnerin Karlo Ançeloti.
Trajneri italian foli qartë në konferencën për shtyp dhe u ankua për mungesën e ekuilibrit të ekipit të tij dhe shprehu zemërimin e tij për mungesën e angazhimit në mbrojtje.
Fakt është se ka pasur një skenë në pushimin mes dy pjesëve, teksa skuadra po përgatitej për t’u kthyer në fushë për pjesën e dytë. Mediat kanë fiksuar Bellingamin të diskutojë me shokët e repartit të sulmit, dukje i kërkuar atyre të kthehen të ndihmojnë skuadrën kur Reali humbiste topin. Në një bisedë të kapur nga “Movistar”, Mbape dhe Vinicius po flisnin për shkëmbimin e pozicioneve të tyre dhe sa e vështirë është për Majorkën t’i ndalojë ata kur e bëjnë këtë.
“Unë mendoj se kur ne ndërrojmë pozicionet ata gjenden në vështirësi”, thotë Mbape. Pastaj shfaqet Bellingam, me një kërkesë për sulmuesit: “Ju të tre, bëni mirë t’i mbyllni si duhet llogaritë atje para, sepse vrapimi mbrapa… është shumë i vështirë dhe i lodhshëm”.
Dhe Mbape duket se është dakord me anglezin: “Kjo është ajo që them, ne duhet t’i japim fund me diçka”.
Dhe anglezi përfundon: “Provoje, provoje. Krijo një hapësirë dhe… (bën gjestin e gjuajtjes drejt portës)”. Dhe me sa duket, Bellingam ka qenë një parashikues i mirë i asaj çfarë mund të ndodhte me ekipin.
Pikërisht, goli i Majorkës erdhi pas humbjes së topit nga Reali, që Majorka e shfrytëzoi për të vrapuar dhe për të goditur nga këndi në favor të tyre që do të përfundonte me goditjen e Muriqit në fund të rrjetës. Dhe ishte një nga ato pikat për të cilat Ançeloti nuk i kurseu kritikat ndaj ekipit të tij.