Emri i Leon Kozit prej dy sfidash nuk ndodhet në protokollin e ndeshjes.
Kjo pasi lojtari është dërguar në tribunë.
Talenti i portës për fatin e mirë nuk vuan nga një dëmtim, pasi vazhdon përgatitjet me pjesën tjetër të skuadrës rregullisht, por arsyeja e dërgimit të tij në tribunë ka të bëjë me një çështje tjetër.
Sipas shtypit të shkruar Kozi nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me kryeqytetasit, teksa ajo aktualja i përfundon vitin e ardhshëm. Në këto kushte klubi ka vendosur që lojtari të jetë në tribunë deri në momentin që të firmosë rinovimin e kontratës.
Mbetet të shihet në ditët e ardhshme nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët për rinovimin, apo Kozi do të vazhdojë të jetë në tribunë si i “dënuar” nga klubi. Kujtojmë se gardiani i portës ishte një nga lojtarët që dëshiroi largimin nga bardheblutë gjatë merkatos së verës.