Silvinjo e ka vendosur 11-shen

Futboll

Silvinjo e ka vendosur 11-shen

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 20:03
Pamje nga një ndeshje

Trajneri Silvinjo e ka vendosur formacionin me të cilin do të luajë kundër Çekisë të premten në mbrëmje. Braziliani i beson sërish Hysajt, ndonëse nuk është aktivizuar, ndërkohë që të tjerët janë lojtarë që luajnë dhe gëzojnë formë të mirë.

Shqipëria u ka dhënë fund përgatitjeve për takimin e së premtes në mbrëmje kundër Republikës Çeke dhe trajneri Silvinjo e ka vendosur formacionin me të cilin do të sfidojë vendasit. Sipas të dërguarit të RTSH Sport pranë kombëtares në Pragë, Silvinjo do të luajë në portë me Strakoshën, që në këtë sezon vjen me petkun e titullarit të AEK-ut dhe me ndeshje të plota të luajtura me klubin, ndryshe nga sezoni i kaluar te Brentford.

Në mbrojtje, krahu i djathtë do t’i besohet sërish Elseid Hysajt, edhe pse nuk ka luajtur te Lazio, ku do të riintegrohet pas dëmtimit të Lazzarit. Pjesa tjetër e mbrojtjes është me lojtarë që luajnë, e madje janë në formë, me Ismajlin e Kumbullën në qendër dhe Mitajn në krahun e majtë.

Në mesfushë do të jenë Ramadani dhe Asllani, i cili ka kapërcyer dëmtimin e lehtë dhe do të startojë. Krahas tyre, djali i shtëpisë, Qazim Laçi, futbollist i Spartës së Pragës, në stadiumin e së cilës do të luhet ndeshja.

Në sulm, një treshe lojtarësh gjithashtu në formë së fundmi me klubet e tyre, Bajrami nga e majta, Asani në të djathtë, me Dakun e rikthyer në qendër. Duke përjashtuar surprizat e orëve apo minutave të fundit, ky pritet të jetë formacioni me të cilin Silvinjo do të kërkojë një rezultat pozitiv pas humbjes së hidhur me Gjeorgjinë.

FORMACIONI

Strakosha,

Hysa, Ismajli, Kumbulla, Mitaj

Asllani, Ramadani, Laçi

Asani, Daku, Bajrami

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat