Bledi Shkëmbi u rikthye pak ditë më parë te Tirana për të vazhduar kështu projektin e nisur në fillim të këtij sezonit. Timonieri korçar tashmë ka nisur epokën e dytë te kryeqytetasit dhe ku shpreson që gjërat të marrin rrjedhën e duhur.
Shkëmbi do të luajë ndaj Bylisit ditën e nesërme, duel shumë i rëndësishëm dhe ku kërkohet vetëm fitorja.
Në prag të këtij dueli ka folur timonieri korçar, ku ka theksuar se është një sfidë vendimtare, ndërsa shpreson të kenë fatin me vete.
“Nuk është se ishte shumë e vështirë për të më bindur, ajo që unë kam bindje është skuadra, pavarësisht momentit të vështirë që po kalon, por jam i bindur që do i kalojë vështirësitë.
Luajmë me skuadrën që është më në formë e momentit, sfidë vendimtare por që kampionati nuk mbaron me këtë ndeshje, kemi ndeshje të tjera.
Shpresoj të kemi fatin pavarësisht mungesave që kemi. Haxhiu, Gjumsi, Abel, Ismajli mungojnë, por nuk duhet të justifikohemi pasi nuk kemi kohë. Këtë skuadër tani e shikoj më të plotësuar në ato reparte që unë e mendoja, por dhe afrimet duan kohë, por që ne nuk e kemi, do mundohemi të bëjmë mirë.
Unë jam i bindur për aq sa e njoh skuadrën, këtë herë gjërat janë më të qetë, më ndryshe, besoj që do e kalojmë.
Nuk kam naj pishman me vete me mënyrën si kemi punuar, kemi bërë gabime, por nuk duam ti përsërisim”, ka deklaruar timonieri i bardhebluve.